Sport
Rashkaj flet për ftesën nga Kosova, tregon gjasat që kemi në përballje me Suedinë
Demokracia
12:53 | 03 Mars 2021

Share:

Kombëtarja e Kosovës në futboll në fund të këtij muaji do ta nis aventurën në eliminatoret për kampionatin Botëror “Katar 2022”, shkruan Demokracia.com.

Kosova me 28 mars do ta ketë ndeshjen e parë ku në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Suedinë, ndërsa tri ditë më vonë do të ndeshet me Spanjën në Seville.

Shtabi teknik tashmë ka nisur t’i bëjë gati ftesët për futbollistët, derisa Demokracia.com, mëson se një e tillë ende nuk ka arritur te njëri nga futbollistët më me përvojë te Kosova, Anel Rashkaj.

Rashkaj që ishte nga të parët që iu bashkuan Kosovës, madje një kohë e barti edhe shiritin e kapitenit, ka konfirmuar se nuk ka marrë ende ftesë nga Kosova, derisa ka folur edhe për ndeshjen ndaj Suedisë, një vend që ai e njeh shumë mirë pasi një pjesë të madhe të karrierës e ka bërë pikërisht në Suedi.

“Jo nuk kam marrë ftesë nga Kosova. Është ende herët për ftesa dhe nuk e di nëse do të jem apo jo në grumbullimin e marsit”, ka thënë Rashkaj për Demokracia.com.

Sa i përket ndeshjes me Suedinë, Rashkaj thotë se e njeh shumë mirë, derisa beson se ekzistojnë gjasat e Kosovës për të shënuar fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Suedinë e njoh shumë mirë. Është një ekip shumë i mirë dhe i fortë por unë mendoj se kemi gjasa reale për ta mposhtur”, ka thënë shkurt Rashkaj i cili këtë vit iu bashkua skuadrës Orgryte në Suedi që luan në Superettan (Liga e dytë).

Rashkaj karrierën e nisi në Kosovë tek Liria për të vazhduar më pas në Suedi te Halmstads BK, Sandnes Ulf, AFC Eskilstuna, Prishtina dhe tek skuadra norvegjeze SJK.

Për Kosovën ai regjistron 15 paraqitje. /Demokracia.com

 

Të ngjashme