Sport
Drita gati për stinorin pranveror, pret fitore ndaj Feronikelit
Demokracia
15:35 | 11 Shkurt 2022

Share:

Në prag të ndeshjes së 19-të kampionale, njëherësh e para për stinorin pranveror, FC Drita ka mbajtur konferencë për media.

Kryetrajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Leotrim Rexhepi folën për përgatitjet parasezonale, stinorin e ri dhe ndeshjen e nesërme, FC Drita – KF Feronikeli, takim ky që zhvillohet nga ora 13:00 në stadiumin e Ulpianës në Lipjan, shkruan Demokracia.com.

Kryetrajneri Nuhiu theksoi se rrespektojnë kundërshtarin e nesërm, por FC DRITA synon tri pikët e para për këtë stinor.

“Nesër do të kemi një kundërshtar që duhet ta vlerësojmë dhe respektojmë në maksimum, sepse duke vlerësuar kundërshtarin do të tregojmë dhe respektojmë edhe vlerat tona si skuadër. I gjithë fokusi për ndeshjen e nesërme, sepse është një tre pikësh shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë”, ka thënë fillimisht Nuhiu.

Ndërsa, futbollisti Leotrim Rexhepi tha se DRITA është e përgatitur, e fokusuar dhe gati për pjesën tjetër të edicionit.

“Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë dhe jemi përgatitur në të gjitha aspektet, jemi përgatitur maksimalisht për një fillim kampionat të mbarë. I njohim cilësitë e Feronikelit dhe në situatën në të cilen gjendemi do të vazhdojmë t’i qasemi me seriozitet ndeshjeve një nga një për të marrë më të mirën”, ka thënë Rexhhepi.

Trajneri ynë, Ardian Nuhiu vlerësoi fazën përgatitore parasezonale, e cila sipas tij e ka ndihmuar DRITËN në aspektin taktik dhe atë psikologjik.

“Në fazën përgatitore parasezonale kemi punuar në aspektin fizik, taktik dhe psikologjik të skuadrës. Jemi munduar të marrim më të mirën nga futbollistët, kemi zhvilluar ndeshje shumë cilësore në Turqi me kundërshtarë të fortë dhe në ndeshje të tilla e vlerëson skuadrën se sa është përmirësuar. Jemi munduar të përmirësojmë cdo detaj, të kompletohemi dhe të jemi  sa më të balancuar e të reagojmë kur duhet. Jam munduar që skuadrën ta përgatisë edhe në aspektin psikologjik dhe ta bind se duhet të fitohet cdo ndeshje, sepse do të jetë një garë e fortë me rivalitet deri në fund të kampionatit”, theksoi Nuhiu.

Sa i përket organizimit dhe zhvillimit të ndeshjeve si vendas, trajneri Nuhiu njoftoi se FC Drita pritet që ndeshjet e tjera të rikthehet e t’i zhvillojë në stadiumin “Selami Osmani – Bezi” në Gjilan. /Demokracia.com

Të ngjashme