Qytetarët romë, ashkalinj e egjiptianë janë shtresa më e margjinalizuar e shoqërisë së Kosovës.
Shkalla e ultë e edukimit ka bërë që edhe vaksinimin pjesëtarët e këtyre komuniteteve ta fillojnë më vonë, shkruan Demokracia.com.
Qytetarët romë, ashkalinj e egjiptianë nga Prizreni, Ferizaji, Fushë Kosova, Gjakova përballen me vështirësi për t’i siguruar nevojat bazike të jetesës. Prej mungesës së ujit të pijshëm, punësimit, pamundësive për ndjekjen e mësimit e deri te shtyllat elektrike që ua rrezikojnë jetën përditë, problemet e tyre nuk gjejnë adresë të zgjidhjes as nëpër qeveri lokale e as në ato qendrore.
Në Kosovë, fushata e imunizimit kundër COVID-19 ka nisur në muajin prill dhe në faza të ndryshme është bërë vaksinimi i kategorive të ndryshme të popullatës.
Deputeti i Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi ka thënë se fillimisht ka pasur hezitime për t’u vaksinuar.
“Unë si deputet e pata marr iniciativën së bashku me stafin tim ku kemi organizuar vaksinimin për komunitetin, ku për më pak se 1 muaj kemi arritur që ti vaksinojmë më shumë se 800 persona nga radhët e komuniteteve”, ka thënë Galushi.
Galushi ka bërë të ditur se vaksinimi për dozën e dytë ka qenë më i lehtë për komunitetet pasi që mbrapa kartonit e kanë pasur terminin për vaksinimin e dytë.
“Qasja për ta marr vaksinimin e dytë ka qenë më e lehtë për shkak se prapa kartonit të vaksinimit ka qenë më e lehtë sepse mbrapa ka qenë termini për vaksinim të dytë. Por, kur është në pyetje vaksinimi i tretë jo vetëm komunitete por e gjithë popullata e ka një far hezitimi”, ka bërë të ditur Galushi.
Galushi ka treguar se para se të del vendimi i Qeverisë për thirrje për vaksinim ka qenë shumë e vështirë të marr përsipër, sepse imuniteti i njerëzve është i ndryshëm për shkak se ka mundur te në 100 persona të iu keqësohet gjendja, e pas vendimit të qeverisë e kemi pasur më të lehtë organizmin e vaksinimit për komunitete.
Demokracia.com, ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se sa është interesimi i qytetarëve të komuniteteve RAE për vaksinim dhe sa prej tyre janë vaksionuar me dozën e parë dhe të dytë.
“Në sistemin elektronik ku regjistrohen qytetarët e Republikës së Kosovës që vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19, të njëjtit nuk regjistrohen sipas përkatësive etnike, por si banorë të Republikës së Kosovës apo shtetas të huaj, sepse edhe të huajtë mund të vaksinohen në Kosovë. Është një numër i konsideruar i pjesëtarëve nga komunitetet që janë vaksinuar, qoftë në qendrat statike të vaksinimit apo edhe përmes organizimit të vaksinimit të tyre me ekipe mobile siç është bërë në disa komuna si: Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Obiliq, Fushë-Kosovë, Mitrovicë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndër të tjera MSh, në përgjigjen e saj thotë se ministria posedon të dhëna për nivelin e vaksinimit të popullatës për çdo komunë ku e ka organizuar vaksinimin, por të vaksinuarit nuk ndahen sipas përkatësisë së tyre etnike, për shkak se as në dokumentet e identifikimit (pasaportë/letërnjoftim), qytetarët e Kosovës nuk regjistrohen sipas përkatësisë etnike, por si “kosovar”.
Sipas të dhënave nga ministria e Shëndetësisë, deri dje në Kosovë janë dhënë 1.754 doza të vaksinës.
Ndërsa, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.794.993 doza të vaksinës, ndërsa 808.830 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Demokracia.com/