Tre zyrtarë të Komunës së Kamenicës dhe pronari i një kompanie nga Skenderaj janë arrestuar sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës. Demokracia.com merr vesh se të arrestuarit janë Pëllumb Jahiri, Florim Demolli dhe Ismail Zubaku.
Ndërsa pronari i Kompanisë nga Skenderaj është Avdi Koci, shkruan Demokracia.com.
Lajmin për arrestimin e tyre e ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, ka zhvilluar hetime lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i Komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro (€) .”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre (3) anëtareve kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.
“Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ,”Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”., ka njoftuar Policia. / Demokracia.com/