Zotriu i Parë, bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu i cili njëkohësisht është pjesëtar rezervë i Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe u.d i ambasadorit të Kosovës në Shkup po bën shkelje të rëndë disiplinore të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Vazhdimisht, në llogarinë e tij në Facebook, Sadriu deklarohet për çështje politike në mbrojtje të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, por jo vetëm. Ai ka dalë edhe në mbrojtje të krerëve të tjerë të shtetit, si kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
DOKUMENTE | Prindon Sadriu shkeli rregulloren e MPJ’së – a do të penalizohet nga Donika Gërvalla?
Ai në këtë postim në Facebook, referuar një lëshimi nga disa media në Kosovë, ka dalë haptazi në përkrahje të krerëve të shtetit, kryeministrit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, kryeparlamentarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ministres nga Lista Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu.
“Ata “qepojnë”, këta punojnë!” ka shkruar Sadriu, bashkangjitur mbi fotografinë e shpërndarë të presidentes Osmani ku kjo e fundit shihet me krerë të tjerë të shtetit. Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi profilin e tij në Facebook, Prindon Sadriu e ka të mbushur me aktivitete politike.
Por, deklarimi i Prindon Sadriut sipas Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës është shkelje e rëndë disiplinore. Sipas nenit 21, të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, paragrafi 2.9, shkelje e rëndë disiplinore konsiderohet edhe shkelja e paanshmërisë politike.
Paragrafi 1, i nenit 21 të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ata që bëjnë shkelje të rënda disiplinore thotë se shqiptohet njëri nga sanskionet e parapara sipas nenit 16 të po këtij kodi.
Sipas nenit 16 të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë të Kosovës, për shkelje të rënda disiplinore shqiptohet vetëm njëra nga këto sanksione disiplinore: 1.1. Largimi nga FSK-ja; 1.2. Transferimi në njësi tjetër; 1.3. Transferim i përkohshëm në njësi tjetër prej gjashtë (6) deri në dymbëdhjetë (12) muaj. Ky sanksion mund të shqiptohet vetëm dy (2) herë brenda pesë (5) vjetëve ndaj pjesëtarit; 1.4. Gjoba në pagë, ku paga mujore mund të zbritet prej 16% deri në 30% në muaj për një periudhë kohore prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj. 2. Gjoba në pagë llogaritet në momentin kur i shqiptohet sanksioni pjesëtarit.
Paanshmëria politike gjithashtu është edhe një nga parimet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas Kodit të Mirësjelljes së pjesëtarëve të FSK-së. Sipas paragrafit 1.3 të nenit 3 mbi Parimet e shërbimit, pjesëtarët e FSK-së gjatë shërbimit janë të obliguar t’i përmbahen paanshmërisë politike.
Gjithashtu, Kodi i Mirësjelljes i FSK-së është i zbatueshëm: “për pjesëtarët aktiv, rezervë, kadetët dhe rekrutët e FSK-së, në shërbim brenda dhe jashtë vendit.”, sipas nenit 2 mbi Fushëveprimin e Kodit të Mirësjelljes.
Edhe sipas ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk lejohet anshmëria politike. Neni 6 i këtij ligji, mbi paanshmërinë politike sipas paragrafit 2 dhe dhe nënparagrafeve 2.1 dhe 2.2 ndalon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që: 2.1; të jenë anëtarë të partive politike, organizatave ose shoqatave me karakter politik; 2.2; të marrin pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre e as nuk mund të shfaqin shenja të përkrahjes së cilësdo prej tyre.
Pavarësisht kësaj, Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka marrë ende asnjë veprim ndaj pjesëtarit të vet rezervë. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më tutje, pasi që Sadriu nuk po i ndalë deklarimet e tij publike me karakter politik.
Haliti: Presidentja i din arsyet pse Prindoni u shkarkuar si këshilltar në Kuvendin e Shqipërisë