Pas një kohe mjaftë të gjatë, Llapi do të kthehet për t’i zhvilluar ndeshjet si vendas në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Kjo është konfirmuar nga burime të sigurta të Demokracia.com në klubin llapjan.
Burimet e gazetës bëjnë të ditur se vendimi final është marrur sot (e martë).
Stadiumi “Zahir Pajaziti” nuk ishte në dispozicion për Llapin në stinorin vjeshtor në Superligë, për faktin se ishte në renovim për shkak të ndërrimit të barit nga artificial në atë natyral.
Megjithatë, Llapi stinorin pranveror do t’i zhvillojë ndeshjet në “shtëpinë” e saj, madje qysh në xhiron e parë të këtij stinori.
Llapjanët ia bëjnë “sefte” stadiumit me bari natyral në duelin kundër Ulpianës që zhvillohet të dielën me fillim nga ora 13:30.
Fituesit e Kupës së Kosovës edicionin e kaluar ndeshjet si vendas në stinorin vjeshtor u detyruan t’i zhvillojnë në stadiumin e Merdarës, e cila nuk ishte se gëzonte kushte të mira infrastrukturore. /Demokracia.com/