Jose Dinis Aveiro, babai i Cristiano Ronaldos, ishte gjithmonë një figurë referuese për të shpjeguar karrierën e yllit portugez.
Në vitin 2005, kur Cristiano sapo kishte filluar karrierën e tij profesioniste triumfuese, Aveiro vdiq nga sëmundja e mëlçisë në moshën 51-vjeçare.
Babai i pesë herë fituesit të “Topit të Artë” vuante nga një problem i varësisë ndaj alkoolit, teksa pijen e nisi pas kthimit nga lufta në Angola. Si veteran lufte në një vend nën diktaturë ushtarake, Aveiro gjeti punë si kopshtar. Humbja e babait të tij kur ishte vetëm 20 vjeç e bëri Cristianon të pranonte në një intervistë me Piers Morgan se “mezi e njihte”.
Përpara se ta merrte vesh futbollisti, lajmi i hidhur arriti tek Luiz Felipe Scolari, asokohe trajner i kombëtares portugeze. Ishte braziliani, ai që duhej t’ia thoshte lajmin më të keq të mundshëm, siç e pranon Scolari në një intervistë për “Daily Mail”: “Ishte shumë i vështirë dhe momenti në të cilin u krijua një marrëdhënie përtej asaj trajner-lojtar.
Lajmin e morëm para një ndeshjeje kundër Rusisë, askush nuk dinte si t’ia thoshte. Unë thashë se do të kujdesesha për këtë, sepse e dija se si ishte të humbasësh një prind. Babai im kishte ndërruar jetë pak vite më parë.
Ishte shumë i trishtuar, por ai moment na lidhi si miq.
Të nesërmen, Cristiano bëri një ndeshje të mrekullueshme dhe u kthye në Portugali. Ai kërkoi të luante ndaj Rusisë. Unë nuk mund të bëj asgjë për babanë tim sot, kështu që do të luaj nesër dhe pastaj do të largohem, – na tha ai, – shpjegoi trajneri brazilian.
Babai i anësorit ndërroi jetë më 6 shtator 2005 dhe Cristiano, siç shpjegon Scolari, u përball me Rusinë të nesërmen në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës “Gjermania 2006”. Djaloshi nga Madeira, pavarësisht se kishte marrë lajmin më të hidhur, luajti 90 minutat e asaj sfide”. /Demokracia.com