Nga kundërshtar i ashpër i ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike në opozitë, Albin Kurti si kryeministër e shtyu përpara këtë proces dhe tash kosovarët do të paguajnë më shtrenjt rrymën deri në 100 për qind.
Me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), gjatë ditës së martë ka marrë vendim për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike, për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj.
Ky propozim ka ardhur në mbledhjen nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.
“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovatë orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRrE.
Por, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e çmimit të energjisë e rëndon edhe më shumë buxhetin e qytetarëve.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com ka thënë se vend që qeveria të ketë politika në përkrahje të qytetarit dhe bizneset si rezultat i pandemisë, nivelit të ulët të aktivitetit ekonomik, pagat e ulëta, mirëqenia e ulët, varfëria e lart po e rëndon çdo ditë e më shumë jetën e tyre.
“Për dallim nga sistemi monist, në demokraci institucionet janë në shërbim të qytetarëve aq sa qytetarët janë të zëshëm në kërkesat e tyre, pra kur nuk kemi qytetari aktive gjasat me abuzuar institucionet janë shumë të mëdha. Pra, rasti më aktuale është shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe aq sa qytetari ishte i zëshëm po aq institucionet reflektuan në raport me interesin e qytetarit. Në fakt ZRrE ka ardhur në çmimin çfarë kanë dashur KEDS ku të gjithë mundemi me pas pakënaqësi, përveç KEDS-it. Kështu që tani më nuk mund të flitet për krizë energjetike, sepse barra tash e tutje bie tek qytetari”, ka thënë Kadriaj.
Edhe njohësi i ekonomisë, Erton Bega, vlerëson se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do ta merr një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore të një familje.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do ta rëndojë shumë gjendjen e qytetarëve, pasi fatura e rrymës do t’ua merr pjesën më të madhe të buxhetit familjar dhe për rrjedhojë qytetarët do të hasin në vështirësi për të mbuluar shpenzimet tjera të jetesës dhe do të obligohen të ulin konsumin në sektorët tjerë, gjë e cila do të sjell pasoja negative për ekonominë e vendit”, ka thënë Bega në një prononcim për Demokracia.com.
Ndërsa ekonomisti, Astrit Ratkoceri, ka thënë se shumë familje e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje dhe rrjedhimisht faturat do të jenë të papërballueshme.
“Duke pas parasysh që jemi në stinën e dimrit dhe pjesa dërmuese e qytetarëve e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje kjo ngritje do të prek shumicën e qytetarëve”, ka thënë Ratkoceri.
Ai tutje ka thënë se kjo rritje prek më së shumti qytetarin e varfër dhe atë mesatar të cilët nuk i kanë mundësit e instalimit të teknologjive të reja të cilat reduktojnë në maksimum shpenzimin e energjisë.
“Duhet pas parasysh po ashtu se kjo rritje do të jetë në fuqi deri në mars 2023 që do të thotë se edhe në dimrin e ardhshëm qytetarët do të paguajnë mjaft shtrenjtë po që se e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje ose në variantin tjetër do të duhet të paguajnë për kalimin nga ngrohja me energji elektrike në ndonjë formë tjetër, shpenzime siç janë ndërrimi i kaldajave, etj”, tha Ratkoceri për Demokracia.com.
Partitë opozitare po e kundërshtojnë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e akuzuar partinë në pushtet, Vetëvendosje, se po ua rëndon jetën qytetarëve.
Edhe shoqëria civile ka dal kundër ngritjes së çmimit të energjisë, por deri më tani nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre. /Demokracia.com/