Sport
Agim Sopi reagon pas akuzave të “Bekit” të Trepçës ’89: Nuk e di pse kjo çështje është bërë kaq e madhe, në Kosovë nuk kam arsye të mos kthehem
Demokracia
17:42 | 02 Mars 2021

Share:

Trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Agim Sopi do të punojë me dy ish-futbollistë të Trepçës ’89 te skuadra suedeze, Osterlen FF, raporton Demokracia.com.

Sopi pas transferimit të Lassina Traores, ka arritur t’i sigurojë edhe shërbimet e futbollistit tjetër, Djibril Diawara.

Në lidhje me futbollistin Traore, presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka thënë se ky transferim ka ndodhur pa dijeninë e klubit mitrovicas.

Demokracia.com e ka kontaktuar Sopin në lidhje me këtë çështje.

Ai ka thënë se Osterlen FF e ka transferuar Traoren, pasi sipas tij, ai nuk ishte i kontraktuar me ndonjë klub, pra ishte “futbollist i lirë”.

“Futbollisti ka qenë i lirë, kështu na ka thënë edhe agjenti i tij. Klubi ynë e ka shikuar situatën e tij pas skadimit të kontratës, dhe i ka bërë ofertë duke e transferuar”, ka thënë Agim Sopi, duke vazhduar:

“Mua më interesojnë vetëm lojtarë të mirë dhe të lirë. Në këtë nivel ku jemi ne, klubet nuk kanë mundësi të paguajnë shumë”.

Tutje, ai thotë se nuk e di pse kjo çështje është bërë kaq e madhe në Kosovë.

“Nuk e di pse kjo çështje është bërë e madhe. Në Kosovë ka talentë të mëdhenj. Këta futbollistë kanë qenë të lirë dhe agjenti i tij ma ka propzuar futbollistin dhe unë e kam dërguar këtë temë te klubi që është marrë me futbollistin”, tregoi ish-trajneri i Feronikelit.

Tutje, Sopi flet edhe për transferimin tjetër – Djibril Diawara – për të cilin thotë se nuk kishte kontratë me klubin mitrovicas.

“Djibrilin e kemi sjellur nga Mali i Afrikës, nuk ka pasur kontratë me Trepçën ’89”, thotë Agim Sopi.

Për fund, i pyetur nga Demokracia.com nëse mendon rikthimin në Kosovë, ai u përgjigj:

“Nuk kam asnjë plan të rikthehem në Kosovë tani, tani për tani synoj ta dërgoj klubin në një nivel më të lartë. Por, kur vjen koha dhe janë mundësitë, pse jo? Kam kaluar mirë në Kosovë te Feronikeli, nuk kam asnjë arsye të mos kthehem atje dhe dyert nuk i mbylli për asnjë klub dhe asnjë federatë”. /Demokracia.com

Të ngjashme