Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot tri kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë studiuar në fushën e sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi.
Osmani ka shkruar në Facebook se është kënaqësi dhe krenari e jashtëzakonshme takimi me Liridona Jashari-Baftjarin, Arbenia Grezdën dhe Jeta Berishën.
Osmani deklaron se Kosova ka nevojë për përfshirje sa më të madhe të grave dhe vajzave në sektorin e sigurisë.
“Kosova ka nevojë për sa më shumë vajza e gra të përfshira në sektorin e sigurisë, prandaj mora konfirmimin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për përkrahjen e tyre të vazhdueshme. Sa më të suksesshme ato, më shumë siguri për ne dhe më mirë për imazhin e shtetit!”, ka shkruar Osmani.