Albin Tahiri ka garuar sot në disiplinën e lëshimit në skijimin alpin të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Skitari kosovar përfundoi në vendin e 35-të nga 43 garues, pozita e tij më e mirë në Lojërat Olimpike Dimërore.
Tahiri pati kohën 1 minutë, 52.44 sekonda, përcjell Demokracia.com.
“Sot ishte dita ime e parë në garën e lëshimit. Shtegu ishte i akullt dhe pak e shpejtë, më shumë se sa që e prisja. Sidoqoftë, vendi 35 ishte më i miri në Lojërat Olimpike për mua. Jam i kënaqur me rezultatin, por jo me paraqitjen time”.
Albini do të garojë edhe në disiplinat e kombinimit alpin, sllallomit dhe sllallomit të madh.
“Pres që në kombinim alpin, që zhvillohet të enjten të hyjë në mesin e 30 më të mirëve, ndërsa për sllallom dhe sllallom të madh do të shohim”, deklaroi Albini.
Krahas tij, Kosovën në LOD Pekini 2022 po e përfaqëson edhe Kiana Kryeziu./Demokracia.com/