Sport
“Ballkani në krizë momentale, po i mungon guximi që e kishin me Munishin”, ish-trajnerët e komentojnë formën e skuadrës suharekase
Demokracia
16:08 | 02 Mars 2021

Share:

Në fillim të stinorit pranveror, skuadra e Ballkanit nuk ka pasur konsistencë në rezultate, derisa futbollistët ende nuk janë përshtatur siç duhet nën urdhrat e Bledi Shkëmbit.

Fillimisht, skuadra suharekase u eliminua nga Kupa e Kosovës prej Llapit, ndërkaq, së fundmi ka pësuar humbje poashtu nga Llapi në kampionat derisa ka barazuar edhe me Gjilanin, raporton Demokracia.com.

Ballkani së fundmi e humbi kreun e tabelës pas humbjes në Podujevë, derisa momentalisht ndodhet dy pikë larg vendit të parë, por me presion të hatashëm nga vendi i tretë aty ku bën pjesë Prishtina.

Shumëkush, madje edhe tifozët e Ballkanit kanë kritikuar me të madhe drejtuesit e klubit për largimin e trajnerit Ismet Munishi nga pozita e shefit të shtabit teknik, derisa kanë kërkuar rikthimin e tij në skuadër.

Demokracia.com ka biseduar me ish-trajnerët e Ballkanit, Gani Sejdiu dhe Sami Sermaxhaj në lidhje me formën aktuale të suharekasve.

Sejdiu: Ballkani ka vështirësi në menaxhimin e ndeshjeve, mbetet të shihet a ishte gabim ndërrimi i trajnerit

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu i cili ka drejtuar edhe Ballkanin për një gjysmë edicion, ka thënë se skuadra suharekase është duke hasur në disa vështirësi.

Megjithatë, ai nuk e di nëse ndryshimi i trajnerit në fundvitin e kaluar ishte vendim i qëlluar apo i gabuar.

“Po, është e vërtetë se me vështirësi Ballkani po i menaxhon ndeshjet. Por, nuk dua të paragjykoj se a është faji i ndryshimit të trajnerit, pasi atë e dinë më së miri përfaqësuesit e klubit. Poashtu, është herët të marrim përgjigjje në këtë pyetje sepse koha e tregon dhe gjithmonë llogaritë për gjithçka bëhen në fund”, ka thënë trajneri nga Mitrovica për Demokracia.com.

Tutje, Sejdiu thotë se Shkëmbit duhet t’i jepet ende kohë.

“Është e vërtetë se starti i Ballkani në këtë fillim nuk është i pritur dhe secilit trajner i duhet kohë sepse idetë e secilit janë të ndryshme dhe lojtarëve u duhet kohë t’i kuptojnë idetë e trajnerit tjetër. Personalisht pres shumë nga Ballkani dhe ende e konsideroj pretendent kryesor për titull. Në fund, në garë të ngushtë do të jenë për titull Ballkani, Drita dhe Prishtina”, përfundoi Gani Sejdiu të martën.

Sipas Sermaxhajt, viktimë janë trajnerët

Ish-trajneri i Ballkanit, Sami Sermaxhaj për Demokracia.com ka deklaruar se futbolli është sport që të jep presionm, derisa sipas tij, trajnerët janë “cak” i këtij presioni.

“Futbolli është sport me presion. Trajnerët janë figura kryesore në futboll, por njëherit edhe target i presionit për rezultat sportiv. Këtij presioni në masë të madhe i paraprijnë edhe mediat. Aftësia e trajnerit dhe drejtuesve të klubit me menaxhuar presionin është çelësi i suksesit të një klubi. Klubet që kanë objektiv vetëm arritjen e suksesit, por që paraprakisht nuk kanë objektiva strategjik për ndërtimin dhe zhvillimin e skuadrës, shpeshëherë veprojnë në eufori dhe viktimë janë trajnerët”, ka thënë Sermaxhaj.

Tutje, ai tregon edhe për periudhën kur ishte trajner i Ballkanit.

“Kam qenë trajner i Ballkanit në vitin kur Ballkani hyri në Superligë dhe objektiv ishte mbetja në elitë dhe ne ishim në objektiv të klubit, madje ishim edhe në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, por që ndodhi ndryshimi i panevojshëm ku viktimë isha unë. Njësoj mendoj edhe për ndryshimet që së fundmi janë bërë, në këtë rast me Ismet Munishin. Sidoqoftë, mossuksesi i përkohshëm është edhe nga faktorë tjerë dhe viktima janë trajnerët”, tregon ai.

Sermaxhaj mendon se Shkëmbi është me fat që ka marrë drejtimin e Ballkanit.

“Mendoj se Shkëmbi është me fat që ka marrë një klub që i ka ofruar të gjitha kushtet për përgatitje, ka skuadër cilësore dhe me më shumë energji se skuadrat tjera. Karizma e Munishit është e veçantë dhe tani skuadrës po i mungon guximi që e kishin me Ismetin, por mendoj se skuadra është në krizë momentale të lojës dhe shpresoj se së shpejti t’u kthehen rezultateve”, përfundoi Sami Sermaxhaj.

Kryetari i tifozëve të Ballkanit: Nuk kemi kohë për eksperimente, Munishi të kthehet

Kryetari i tifozëve “Xhebrailat” Korab Elshani, i frustruar me rezultatet e fundit të skuadrës së futbollit dhe asaj të basketbollit, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”, duke shtuar se kryetrajnerët të shkojnë në shtëpi, Suhareka jeton për sport, Munishi duhet të kthehet.

“Nuk kemi kohë me humb duke prit eksperimente. Ylli & Ballkani për neve janë dashni-familje”, ka shkruar ndër të tjera Elshani

Edhe pse Elshani nuk ka përmendur emra, adresimi duket i qartë, që ka të bëjë me trajnerin Bledi Shkëmbi.

Të kujtojmë se Munishi u largua në përfundim të stinorin vjeshtor, largim ky që nga shumë analistë po cilësohet si hap i gabuar i drejtuesve të skuadrës. /Demokracia.com

Të ngjashme