Skuadra e Mercedesit e paraqiti sot bolidin e ri W12, me të cilin do të tentojnë që të fitojnë titullin e tetë rresht, në kampionatit të konstruktorëve, kurse ngasësi i tyre Luis Hamilton, synon rekordin, titullin e tetë me radhë në Kampionatin e Formula 1, transmeton Demokracia.com.
Mercedesi ka ruajtur ngjyrën e zezë mbizotëruese sikurse edhe në sezonin e kaluar, me të cilën i kanë dhënë mbështetje luftës kundër racizmit.
Bolidi u paraqit në praninë e Luis Hamiltonit dhe Valeri Botas, të cilët së bashku do të përfaqësojnë si ngasës skuadrën e Mercedesit.
Mercedesi i ri karakterizohet në disa ndryshime të “rëndësishme aerodinamike”, pjesërisht si përgjigje në rregullat e reja në pjesën e prapme te automobilit si dhe përmirësimin e trapit dhe motorit, thuhet në njoftimin më të ri.
Hamilton sezonin e kaluar e barazoi rekordin e legjendës Michael Schumacher, me numrin e titujve , 7 (shtatë) dhe numrin e fitoreve -95, ndërsa këtë viti pret thyerjen e këtij rekordi.
Botas do të përpiqet ta rrezikojë Hamiltonin , pasi që sezonin e kaluar doli i dyti.
Mercedesi dhe ngasësit e tij që nga viti 2014, kanë fituar shtatë trofe të dyfishtë- titullin në konkurrencën e konstruktorëve dhe ngasjes, që deri më tash nuk e ka arritur asnjë skuadër tjetër.
Testimet zyrtare para sezonit te ri nisin më 12 -14 mars, në shtegun Sakir, ku më 28 mars do të nis edhe sezoni i ri në Formula 1, për shpërblimin e madh të Bahrejnit. /Demokracia.com