Stinori pranverorë në Superligën e Kosovës në futboll po duket shumë më i nxehtë sesa është parashikuar shkruan Demokracia.com.
Lufta si për titull ashtu edhe për ekzistencë vazhdon të mbetet shumë e ashpër dhe e paqartë.
Në fundjavë na pret një ndeshje tejet joshëse ku takohen Prishtina e Llapi. Prishtina që synim e ka titullin e kampionit në “Fadil Vokrri” e pret Llapin që po lufton për ekzistencë.
Ish-futbollisti i Prishtinës, tash lojtar i Llapit, Amet Haliti në një bisedë për Demokracia.com, ka folur për këtë takim derisa ka komentuar edhe rikthimin e tij nga lëndimi i cili e la jashtë fushave për disa ndeshje.
“Sigurt që është ndjenjë e mirë kur rikthehesh nga një lëndim që të mbanë gjatë jashtë fushave të lojës. Kam punuar shumë që të jem i gatshëm t’i ndihmojë skuadrës por sigurisht që nuk jam ende në 100% tim. Gjithsesi po shpresoj që të arrijë sa më shpejt maksimumin e përgatitjes fizike”, ka thënë Haliti.
Sa i përket ndeshjes me Prishtinën e cila luhet të shtunën me fillim nga ora 13:00, Haliti pret një takim shumë të vështirë, derisa sipas tij edhe një barazim nuk do të ishte i keq për Llapin.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë pasi që Prishtina ka një seri të mirë të rezultateve pozitive dhe janë në kulmin e formës, por edhe ne po kalojmë nëpër një formë të mirë dhe besoj që do të jetë një përballje interesante. Unë them se në këtë takim për neve edhe një barazim do ishte rezultat pozitiv”, ka përfunduar Ahmet Haliti. /Demokracia.com