Garat në futbollin e Kosovës rifillojnë me ndeshjet e fazës së 1/8 së Kupës së Kosovës me ç’rast FC Prishtina do të takohet me Drenicën.
Ndeshja në fjalë do të zhvillohet të dielën (6 shkurt) me fillim nga ora 13:30 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, për shkak të riparimeve të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Prishtina synon që të kalojë tutje në Kupë teksa për takimin ndaj Drenicës ka folur mesfushori Erando Karabeci.
“Mendoj se jemi gati për pjesën e dytë të sezonit. Kemi kryer një fazë përgatitore shumë të mirë në kushte optimale ku kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore me ekipe të nivelit të mirë dhe me çka kemi shfaqur në këto ndeshje, besoj se jemi gati fizikisht për ta përballur sa më mirë pjesën e dytë të sezonit”, deklaroi Erando Karabeci për faqen zyrtare të klubit, përcjell Demokracia.com.
“Për Prishtinën secila ndeshje është shumë e rëndësishme. Ndeshja e nesërme është akoma më e rëndësishme sepse Kupën e kemi objektiv kështu që duhet vlerësuar maksimalisht dhe duhet ta japim më të mirën tonë për t’u kualifikuar”, shtoi futbollisti nga Shqipëria.
“Përparësia e Prishtinës ndaj Drenicës mund të jetë fusha në Lipjan ku është një teren i mirë dhe të lejon të luash futboll të mirë dhe të shprehësh më të mirën tënde duke marr parasysh që jemi një ekip që bazohemi në posedimin e topit kështu që mendoj që është një plus për neve. Duhet vlerësuar maksimalisht ndeshjen dhe të jemi të përqendruar 90 minuta sepse nëse e humbin përqendrimin, çdo ekip mund të na shkaktojë probleme”, përfundoi Erando Karabeci. /Demokracia.com