Sport
Ekspedita e Llapit përfundon fazën përgatitore në Antalia, në mbrëmje kthehen në Kosovë
Demokracia
13:15 | 03 Shkurt 2022

Share:

Ekipi i Llapit ka zhvilluar sot në mëngjes stërvitjen e fundit për fazën përgatitore Antalia 2022 dhe në mbrëmje do rikthehet në Kosovë.

Skuadra bardhekaltër përgjatë 14 ditëve ka zhvilluar punë intensive dhe ndeshje mjaft të forta me kundërshtarë shumë cilësor për t’u njohur me gjendjen reale para fillimit të edicionit pranveror, përcjell Demokracia.com.

Llapi ka njoftuar se atmosfera në kampin bardhekaltër ka qenë impozante dhe futbollistët kanë qenë shumë të bashkuar me njëri-tjetrin.

Asnjë futbollist nuk ka pasur lëndim serioz dhe mund të quhet fazë tejet e suksesshme, duke filluar nga puna e shtabit teknik, angazhimi dhe përkushtimi i futbollistëve, kujdesi i stafit mjekësor dhe puna e personelit administrativ.

Kujtojmë që ekipi llapjan ka zhvilluar pesë ndeshje kontrolluese në Antalia.

Fillimisht, ata ka barazuar me ekipin rus, Olimp Dolgoprudny (0-0), më pas në ndeshjen e dytë ka triumfuar ndaj Akademija Pandev (2-0 me golat e Alban Shillovës e Drilon Fazliut), ka barazuar në ndeshjen e tretë me Neftchy Fergana (1-1, golashenues Alban Shillova), ka fituar ndaj ekipit rus, Akhmat Grozny (1-0 me golin e Bianor Netos) dhe ka humbur në ndeshjen e fundit ndaj bullgarëve të CSKA 1948 Sofia(2-1 ku golin për ekipin kosovar e realizoi Festim Alidema).

Edicioni pranveror për ekipin e Llapit nis më 7 shkurt me ndeshjen e Rrethit të dytë të Kupës së Kosovës, ku si fitues aktual i këtij kompeticioni do jenë mysafir të ekipit të Ferizajit./Demokracia.com/

Të ngjashme