Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, është tentuar t’i jipet një shpjegim politik.
Këto deklarata ai i bëri në ATV, ku u pyet nga gazetarja se pse Molliqaj nuk u arrestua në shtëpi apo në ndonjë vend tjetër, por në një emision televiziv, përcjell Demokracia.com.
“Në çdo situatë po të realizohej ajo, përpjekja për t’i dhënë një shpjegim politik nuk do të mungonte, nuk ka qenë i tillë. Çdo kush e ka parë veprimin e policisë, dhe të Molliqajt. Veprimet e policisë kanë qenë në kuadër të fushëveprimit”, ka thënë ai.
Sipas Kryeziut, Molliqaj ka pasë ftesë nga policia, por të njëjtës nuk i është përgjigjur, përcjell Demokracia.com.
Vlen të përmendet se Molliqaj u arrestua dje para se të shkonte në emisionin “Pressing”. Forca të shumta të policisë u panë pranë studiove të këtij emisioni.
Arrestimi i tij vjen pas sulmit që i bëri një zyrtari policor në protestën e së shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike./Demokracia.com/