Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka shpallur konkursin për drejtorin e përgjithshëm të këtij institucioni.
Nëpërmjet një komunikate, Bordi shkroi se procesi i konkursit do të jetë i bazuar në meritokraci, i hapur për monitorim dhe publik për të gjithë kandidatët e interesuar.
“Rrjedhimisht, inkurajojmë të gjithë të interesuarit që këto ditë të përcjellin hapjen e konkursit në kanalet e RTK-së dhe të aplikojnë për pozitën në fjalë. Po ashtu, Bordi i RTK-së ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), më të cilët është diskutuar lidhur me sfidat, shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Bordi i RTK-së siguroi SPRTK-në se do t’i adresojë shqetësimet e tyre në përputhje me rregullativën e RTK-së dhe ofroi bashkëpunim të plotë në funksion të zhvillimit të RTK-së”, thuhet në komunikatë.
Dy javë më parë është shkarkuar drejtori Ngadhnjim Kastrati. Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit është Shkumbin Ahmetxhekaj. /Demokracia.com/