Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime të mëdha.
Një nga vendimet e KE të FFK-së ishte edhe mosvazhdimi i kontratës me përzgjedhësen e Kombëtares së Kosovës te femrat, Afërdita Fazlija, raporton Demokracia.com.
“Në këtë drejtim KE mori vendim që përzgjedhëses së Kombëtares “A” të femrave dhe gjithë Shtabit teknik të mos i vazhdohet kontrata-bashkëpunimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar nga shtëpia e futbollit kosovar.
Fazlija në një prononcim për Demokracia.com është shprehur se ende nuk ka marrë njoftimin nga KE.
“Une ende nuk kam marrë asnjë njoftim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK së për vendimet e fundit. Unë them drejtën uebfaqën e FFK-së nuk e hapi edhe shpesh, kështu që për vendimet e fundit jam njoftuar nga ju. Sigurisht kur të marrë vendimin nga FFK do të deklarohem”, ka thënë Afërdita Fazlija të mërkurën për Demokracia.com.
E pyetur se në opinion së fundmi emri i saj po flitet si kundërkandidate e Agim Ademit për postin e kreut të FFK-së dhe se kjo mund të jetë një llojë hakmarrjeje, Fazlija u shpreh: “Jo jo nuk mund ta besojë këtë. Po e pres vendimin një herë pastaj flasim”, përfundoi Fazlija për gazetën./Demokracia.com/