Policia e Kosovës në bashkëpunim me Porkurorinë Themelore të Prishtinës edhe të hënën ka vazhduar aksionin “Subvencioni 2021”, ku ka ndaluar dy persona.
Në kuadër të aksionit “Subvencioni 2021”, gjatë së hënës është shoqëruar në polici drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe një person tjetër të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga Policia e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka shoqëruar për intervistim dy persona. Të njëjtit janë shoqëruar për intervistim, mbi dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë për Demokracia.com.
Theksojmë se arrestimet e sotme janë vazhdimësi të javës së kaluar ku u arrestuan 21 persona, kryesisht zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me keqpërdorim të subvencioneve në këtë ministri.
Aksioni është zhvilluar në disa lokacione të vendit, me ç’rast janë konfiskuar mbi 400 mijë euro, vetura, telefona, kompjuterë etj. /Demokracia.com/