Rreth tre mijë qytetarë protestuan në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës. Asnjëri prej krerëve të shtetit, Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, nuk janë deklaruar ende në lidhje me këtë.
Por, ky i fundit, jo shumë kohë më parë ishte organizator i protestave pikërisht për çmimet e energjisë elektrike. Kjo natyrisht ishte para ardhjes në pushtet, raporton Demokracia.com.
Gjatë vitit 2015, LVV-ja kishte organizuar një protestë nën arsyetimin se qytetarët e Kosovës po i paguajnë më së shtrenjti faturat e energjisë elektrike.
“Qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike”, thuhej në një prej postimeve të LVV-së, pas një konference të mbajtur nga Glauk Konjufca lidhur me këtë ngjarje.
Megjithatë, deri më tani ai nuk ka reaguar as për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe as për protestën, e cila ishte masive duke marrë parasysh pjesëmarrjen e qytetarëve.
E përveç Konjufcës, kritik ndaj çmimeve të energjisë elektrike ishte edhe një bashkëpartiak i tij që tani është bërë deputet. Bëhet fjalë për deputetin Adnan Rrustemi.
Por, për dallim nga Konjufca, ky vetë dje bëri një reagim krejt ndryshe nga ai i vitit 2015. Madje, Rrustemi shkoi edhe më larg, duke e cilësuar si protestë me prapaskenë të ulët, ani pse në të morën pjesë rreth tre mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët kryeministër e kanë shefin e tij, Albin Kurtin.
Megjithatë, kosovarët kanë mjaft arsye për të protestuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Demokracia.com.
Çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.
Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300 kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.
Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit fatura bëhet 109.42 euro./Demokracia.com/
FOTO-VIDEO | “Ju rrisni çmimin, ne rezistencën”, gjithçka çka ndodhi në protestën e PSD-së