Ballkani pa asnjë dyshim është një nga skuadrat më të organizuara në futbollin kosovar, shkruan Demokracia.com.
Drejtuesit e klubit më investimet që kanë bërë kanë krijuar një ekip që me të drejtë po cilësohet si nga më cilësorët në Superligë. Megjithatë, pranvera për ta nuk është se nisi edhe aq mirë.
Në pesë ndeshjet e zhvilluara skuadra portokalli ka 2 humbje një barazim dhe 2 fitore (përfshirë eliminimin nga Kupa), sinjale këto jo edhe aq të mira për trajnerin e ri Bledi Shkëmbi i cili në bankinën e Ballkanit zëvendësoi Ismet Munishin, vendim ky që nga njohësit e futbollit nuk është cilësuar edhe si i drejtë.
“Unë kam thënë edhe më herët se nuk është ai Ballkani që e kemi parë sa ka qenë Ismet Munishi trajner. Nuk e shoh një Ballkan agresiv, një Ballkan që luante më shpejt. Sido që të jetë kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar. Ballkani ka super-ekip dhe kandidat i madh për titull”, ka thënë për Demokracia.com njohësi i mirë i futbollin tonë, Arsim Plepolli.
Sa i përket Shkëmbit, Plepolli ka thënë se i duhet pak kohë për ta mësuar më shumë ekipin.
“Bledit ndoshta i duhet kohë më shumë për të ndërtuar atë që ai dëshiron me apliku në lojë. Gjithsesi, koha po ikën e bashkë me kohën edhe pikët”, ka vlerësuar Plepolli.
Në një situatë aspak të mirë nuk po kalon as Gjilani i Bylbyl Sokolit i cili nga një skuadër në luftë për titull tash është shndërruar në një skuadër në luftë për mbijetesë.
Ballkani aktualisht është në pozitën e dytë në tabelë me 45 pikë, vetëm një më shumë sesa Prishtina që është e treta dhe dy më pak sesa lideri Drita. /Demokracia.com