Lajme
LAJMI I FUNDIT: Blloku A3 i TC Kosova A sonte del jashtë funksionit
Demokracia
21:01 | 28 Janar 2022

Share:

Kosovën mund ta presin sërish ditë të vështira në furnizimin me energji elektrike. Kjo pasi që pak ditë pas kthimit në funksion të bllokut B2 të Termocentralit “Kosova B”, sonte do të dalë nga funksioni një bllok tjetër, blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”.

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur për Demokracia.com se sonte në orën 24:00, njësia A-3 e Termocentralit “Kosova A” do të nxirret nga operimi.

Skënder Bucolli nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në KEK ka thënë se ky bllok, sipas planit, pritet të rikthehet në operim më 27 shkurt në orën 24:00.

“Konform bilancit energjetik të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MW/h energji elektrike. Po ashtu sipas rregullave të operimit kompania përgjegjëse për furnizimin e konsumatorëve universal si dhe të gjitha palët e interesit janë njoftuar me kohë”, ka thënë Bucolli për Demokracia.com.

Se blloku A3 do të nxirret nga funksioni për 30 ditë e ka thënë edhe kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, por nuk e kishte specifikuar ditën se kur do të ndodhte.

Blloku A3 llogaritet që prodhon nga 130 deri në 140 megavat energji elektrike. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme