Zyra për Statistika e BE-së, Eurostat, ka publikuar raportin për pagën minimale në vendet e Evropës gjatë muajit të parë të vitit 2022. Luksemburgu vazhdon ta ketë pagën më të madhe minimale me 2 mijë e 257 euro, ndërkaq Shqipëria si kandidate për t’u bërë pjesë bllokut evropian e ka pagën më të ulët minimale me 248 euro. Kosova nuk është përfshirë fare në këtë raport, por kosovarët pagën minimale e kanë 130 euro deri në moshën 35 vjeçare dhe 170 euro pas kësaj moshe.
Sipas raportit të Eurostat-it, 21 nga 27 vende anëtare të BE-së, përveç Danimarkës, Italisë, Qipros, Austrisë, Finlandës dhe Suedisë, kanë pagë minimale, përcjell Demokracia.com.
Paga minimale në 13 vende të BE-së është nën 1 mijë euro, ndërsa në gjashtë të tjera është mbi 1 mijë e 500 euro.
Shteti me pagën minimale më të lartë në Bashkimin Evropian është Luksemburgu. Qytetarët e këtij vendi pagën minimale e kanë plot 2 mijë e 257 euro. Vende të tjera me pagë minimale mbi 1 mijë e 500 euro janë Gjermania me 1 mijë e 621 euro, Franca me 1 mijë e 603 euro, Belgjika me 1 mijë e 658 euro, Holanda me 1 mijë e 725 euro dhe Irlanda me pagë minimale rreth 1 mijë e 775 euro.
Shtete të tjera të BE-së që kanë paga minimale nën 1 mijë euro për muaj janë Bullgaria me 332 euro, Letonia me 500 euro, Rumania me 515 euro, Hungaria me 542 euro, Kroacia e ka pagën minimale 624 euro, Sllovakia me 646 euro, Çekia me 652 euro, Estonia me 654 euro, Polonia me 655 euro, Lituania me 730 euro, Greqia me 774 euro, Malta me 792 euro dhe Portugalia me pagë minimale rreth 823 euro, përcjell Demokracia.com.
Eurostat e ka vendosur edhe SHBA-në në këto statistika për ta parë dallimin mes kontinenteve. Paga minimale atje gjatë muajit janar të vitit 2022 është 1 mijë e 110 euro.
Në këto statistika janë përfshirë edhe kandidatët për anëtare të BE-së, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në shtetin shqiptar qytetarët pagën minimale e kanë 248 euro, ndërkaq për maqedonasit ka statistika vetëm të vitit 2021, kur paga atëherë ka qenë 358 euro.
Eurostat ka publikuar statistika edhe për Serbinë, e cila pagën minimale e ka 401 euro, si dhe Malin e Zi, me pagë minimale 532 euro.
Pavarësisht se ishte thënë se në matjet e Eurostatit do të përfshihet edhe Kosova, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për pagën minimale, përcjell Demokracia.com.
Por, dihet që paga minimale në Kosovë është në dy shkallë, 130 euro deri në moshën 35 vjeçare dhe 170 euro pas kësaj moshe. Paga minimale në vend nuk është rritur gjatë vitit 2021, pavarësisht premtimeve të kryeministrit aktual, Albin Kurti, para se të vinte në pushtet se do të ndryshonte kjo.
Deri më tani, Kurti është deklaruar vetëm një herë për rritjen e pagës minimale, duke thënë se e njëjta do të bëhet 250 euro, por nuk ka treguar se kur do të ndodhë.
Edhe për këtë deklaratë, ai ishte kritikuar shumë nga sindikatat e punëtorëve në vend, pasi që kjo shumë e pagës është papërballueshme për punonjësit në Kosovë./Demokracia.com/