KF Dukagjini e nisi edicionin në Superligë pas inkuadrimit nga Liga e Parë pa njërin nga futbollistët kryesor. Mark Milicaj tash e një kohë ka qenë në fazën rikuperuese pas një lëndimi të rëndë të pësuar muaj më parë.
Anësori këmbëshpejtë pësoi një lëndim të rëndë në ligamentin e këmbës, dëmtim ky që e la atë jashtë fushave për rreth 9 muaj, raporton Demokracia.com.
Megjithatë, futbollisti klinas atë lëndim tashmë e ka lënë pas shpine. Ai i është rikthyer stërvitjeve dhe ndodhet në Antalia të Turqisë së bashku me ekipin për fazën përgatitore në prag të stinorit pranveror në elitën e futbollit kosovar.
Rikthimin e tij e ka konfirmuar vetë Milicaj në një prononcim për Demokracia.com.
“Po, jam shëruar nga lëndimi dhe jam me skuadrën në përgatitje në Antalia. Kam filluar të luajë normalisht. Natyrisht se duhet pak kohë deri në përgatitjen maksimale dhe normalisht sa të arrijë ritmin. Por, e rëndësishme është se unë po ndihem mirë”, deklaroi Mark Milicaj të martën për Demokracia.com.
35-vjeçari që ka përvojë mjaftë të madhe në futbollin kosovar pritet të jetë “armë” shtesë për “Hithat” në luftën e tyre në Superligë.
Dukagjini do ta nis stinorin pranveror nga pozita e tetë me 18 pikë, ndërsa i pret luftë e fortë me kundërshtarët për të siguruar mbetjen në elitë.
Skuadra “bardhegjelbër” në radhët e tyre kanë futbollistë tejet cilësor dhe se nuk kanë munguar përforcimet edhe në afatin kalimtar të janarit. /Demokracia.com/