Lajme
Presidentja hesht për faturat e larta të rrymës, më herët i quante “haraç për keqmenaxhim” dhe bënte peticione
Demokracia
11:52 | 25 Janar 2022

Share:

Qytetarët e Kosovës që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar deri në fillim të këtij viti janë përballur me reduktime të energjisë elektrike.

Përveç reduktimit të energjisë elektrike, ka muaj të tërë që po debatohet edhe për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo temë ka nxitur debate dhe reagime të ashpra të qytetarëve, shkruan Demokracia.com.

Por, presidentes Vjosa Osmani tash në ulësen e të pares së shtetit nuk po i bëjnë më përshtypje ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe pakënaqësitë e qytetarëve.

Sa nuk ishte presidente, Osmani kishte qenë shumë e zëshme kundër faturave të larta të qytetarëve të Kosovës, duke i quajtur ato edhe “haraç për keqmenaxhim”.

“Tash e sa vite, humbjet e energjisë në rrjet nuk janë zvogëluar dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja ka ngecur. Protestat qytetare vitin që shkoi nuk mjaftuan për tu vetëdijesuar personat përgjegjës. Qeveria, KEK-u dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ndërmorën masa edhe pse u formua Komision Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë Elektrike”, thoshte në të kaluarën Osmani, transmeton Demokracia.com.

E njëjtë sikur edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe Osmani asokohe ishte kundër blloktarifave, të cilat tani po rikthehen.

“Shumë qytetarë sot nuk e dinë si llogaritet çmimi i energjisë, si rezultat i komplikimit nga tarifat e trefishta: tarifa dimërorëve dhe verore, tarifa e ditës dhe e natës, tarifa për shpenzime deri në 200 kw, deri në 600 kw dhe mbi 600 kw, pastaj tarifa për biznese dhe amvisëri. LDK-ja i mban përgjegjës të gjithë personat në zinxhirin menaxherial, nga menaxhmenti i KEK-ut e deri tek qeveria për përkeqësimin e situatës”, kishte thënë Osmani në emër të LDK-së.

Për më tepër, ajo kishte bërë edhe peticion kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në shtator të vitit 2014.

Osmani kishte nisur një aksion të mbledhjes së nënshkrimeve të organizuar nga Koalicioni i Qytetarëve, Konsumatorëve, Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare, që ishte i përbërë nga afro 70 subjekte joqeveritare dhe sindikale.

Ndër të tjera, Osmani që tash nuk po i dëgjohet zëri kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, atëherë edhe i kishte ftuar qytetarët që ta nënshkruanin këtë peticion.

E për dallim nga Osmani që tani po hesht, kryeministri Kurti që më herët si subjekt politik kishin organizuar edhe protesta kundër shtrenjtimin të energjisë elektrike, tani po thotë që ndër vite tarifat e energjisë elektrike nuk kanë pasur kosto reflektive dhe janë mbajtur kostot fiktive për qëllime elektorale. Sipas Qeverisë Kurti, qeveritë e kaluara kanë ndërhyrë politikisht për të mos u rritur tarifat e energjisë elektrike./Demokracia.com/

 

Të ngjashme