Franca do të mbajë një takim për të propozuar rrugëdalje për uljen e tensioneve me Rusinë në kohën e shqetësimit global rreth Ukrainës, njoftoi të hënën zyra e presidentit francez.
Në deklaratën e Pallatit Elysee thuhet se Presidenti Emmanuel Macron ka shprehur shqetësim të thellë rreth situatës në kufijtë e Ukrainës dhe e ka theksuar nevojën për punë të përbashkët për ulje të shpejtë të tensioneve.
Deklarata erdhi pas takimit shumëpalësh për krizën në Ukrainë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe me udhëheqës të shteteve të NATO-s e Bashkimit Evropian, shkruan Anadolu, përcjell Gazeta Express.
Macroni, që do të takohet me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “mbetet i përkushtuar që të përdorë të gjitha burimet e diplomacisë për ta ruajtur stabilitetin e Evropës dhe për t’i shfaqur solidaritetine dhe gatishmërinë e tij për t’i përkrahur shtetet e Bashkimit Evropian të shqetësuara për sigurinë e tyre”, thuhet në deklaratë.
Franca do të organizojë dialog me këshilltarë diplomatik të këtij shteti, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës sipas formatit të Normandisë. Ky dialog do të zhvillohet të mërkurën.
Qëllimi i dialogut do të jetë që Moska të shtyhet për t’i zbatuar plotësisht marrëveshjet e Minskut të vitit 2015 duke e tërhequr përkrahjen për rebelët që po luftojnë kundër trupave qeveritare ukrainase në Donbas.