Sport
Presidenti i UEFA-s e priti në shtëpinë e tij Agim Ademin, ky i fundit njofton se Çeferin do ta vizitojë Kosovën në pranverë
Demokracia
18:28 | 23 Janar 2022

Share:

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin e ka mirëpritur në shtëpinë e tij të parin e FFK-së, Agim Ademin pasditën e sotme.

Ky i fundit e ftoi Çeferinin ta vizitojë Kosovën, ndërsa konfirmoi se i pari i UEFA-s do të zbarkojë në vend gjatë pranverës, raporton Demokracia.com.

Ademi në llogarinë e tij në Facebook nëpërmjet postimit bëri të ditur se e ka falënderuar për mbështetjen e parezervë për futbollin e Kosovës kreun e shtëpisë  më të madhe të futbollit evropian.

Postimi i plotë i Agim Ademit:

Kënaqësi ta kaloja një pasdite të këndshme si mysafir i presidentit Aleksandër Çeferin në një ambient fantastik në shtëpinë e tij.

Si gjithmonë ai u dha mbështetje të gjitha ideve dhe projekteve tona, teksa u shpreh i kënaqur e më përgëzoj për punën e bërë deri më tash dhe për strategjinë e udhëheqjes së FFK-së në periudhën 2022-2026, duke më inkurajuar që të vazhdoj me të njëjtin ritëm e vullnet pune.

Presidentin Çeferin e falënderova për mbështetjen e parezervë ndaj futbollit të Kosovës si dhe për punën e tij brilante në krye të UEFA-s.

Ftesën time për ta vizituar Kosovën presidenti Çeferin e priti me kënaqësi, prandaj do të jetë nder dhe kënaqësi që në pranverë do ta kemi mysafir të parin e futbollit evropian dhe t’i inaugurojmë disa prej projekteve tona kapitale./Demokracia.com/

Të ngjashme