60 organizata jo-qeveritare dhe aktivistë të të drejtave të komunitetit LGBTI në Kosovë, do t’i drejtohen deputetëve të Kuvendit të Kosovës për rregullimin me ligj të martesës për personat e gjinisë së njëjtë.
Sipas një njoftimi të grupit, aktivistët kërkojnë përfshirjen e martesës për personat e gjinisë së njëjtë në Kodin Civil të Republikës së Kosovës, drafti i të cilit është në përpunim nga ligjvënësit.
Grupi i aktivistëve ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për iniciativën.
“Organizatat, individët dhe aktivistet/ët pjesëmarrës, në shenjë mbështetjeje të këtij procesi, dje nënshkruan letrën e cila ende po qarkullon për përkrahje dhe nënshkrime”, thuhet në njoftimin e grupit të aktivistëve.
Ky Draft Kod do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, Deputetëve të Kosovës dhe Komisioneve Parlamentare për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Projekt Kodin Civil, ka thënë grupi.
Iniciativën e ka përkrahur edhe Shpat Deda, artisti nga Prishtina.
Demokracia.com ka raportuar qysh më 4 janar rreth problemit që ka Kodi i propozuar për miratim me martesat e personave të gjinisë së njëjtë.
Riaktulizimi i kësaj çështjeje ndodhi pas raportimeve rreth martesës së vëllait të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, me një partner të gjinisë së njëjtë.
Edhe pse sikur të jetonte në Kosovë, vëllai i deputetes Kusari-Lila nuk do të mund ta kurorëzonte dashurinë e tij me martesë, debatin rreth martesës së dy partnerëve të së njëjtës gjini ka shumë figura publike që po e cilësuan “jo në interes të publikut”.
Kushtetuta e Kosovës e lejon martesën mes dy partnerëve të së njëjtës gjini në Kosovë, por kjo nuk lejohet me Kodin Civil të Republikës së Kosovës dhe as me Ligjin mbi Familjen.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet ‘se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin’.
Ndërkaq, Ligji për Familjen thotë se ‘martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua’.
Kjo gjë, siç kishte mësuar Demokracia.com, ishte pjesë e një debati të ashpër edhe përbrenda grupeve që po punonin në plotësim/ndryshimin e Kodit Civil në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar projekt Kodin Civil. Kryeministri Albin Kurti tha se kjo reformë do të jetë në funksion të realizimit të të drejtave të qytetarëve, duke pasur për bazë standardet ndërkombëtare. Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Nxjerrja e Kodit Civil ka për qëllim unifikimin, harmonizimin e ligjeve të fushës civile në një tërësi. Kodi Civil ka 1631 nene të cilat të strukturuara në 5 libra ku hynë pjesa e përgjithshme, detyrimet, pronësia e të drejtat sendore, familja dhe trashëgimia”, tha Haxhiu.
Si është e rregulluar në rajon martesa mes çifteve të gjinisë së njëjtë?
Mali i Zi ka miratuar Ligjin për martesat e gjinisë së njëjtë gjatë qeverisë së kaluar, përkatësisht më 1 korrik 2020.
Në Serbi ende nuk është miratuar një ligj i tillë, ndonëse edhe vetë kryeministrja Bërnabiq e ka partneren e gjinisë së njëjtë.
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve më 4 mars të vitit 2021 kishte publikuar draft-ligjin për partneritet ndërmjet gjinive. Sipas kësaj ministrie, ky ligj e legalizon partneritetin, por jo edhe martesën. Në anën tjetër, më 1 maj të vitit të kaluar, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç kishin raportuar mediat atje, kishte thënë se nuk do ta nënshkruajë një ligj të tillë, sepse ai është kundër Kushtetutës dhe Ligjit për Familjen.
As Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria nuk kanë legjislacion që lejon martesat mes çifteve të gjinisë së njëjtë. /Demokracia.com/