Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mënyrat në dispozicion për ta thirrur seancën e jashtëzakonshme për energjinë elektrike, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë.
Ai ka thënë se situata do të rëndohet më shumë në Kosovë pasi tha se populli i varfër nuk mund ta përballojë një rritje të çmimit të rrymës krah shtrenjtimit të gjërave të tjera.
“Kërkuam një debat urgjent që të diskutojmë rreth gjendjes energjetike dhe masat që duhet të marrë Qeveria dhe ZRRE që qytetarët ta kalojnë sa më lehtë këtë dimër. Kërkojmë të mos hyhet në shtrenjtimin e rrymës sepse me rritjen e çmimeve, inflacionin dhe tash rritja e energjisë për qytetarin është e papërballueshme. Patëm sjellje të papërgjegjshme të mazhorancës që po mundohet ta mbytë edhe debatin. Ky vend po qeveriset nga njerëz të papërgjegjshëm, të padijshëm. Jemi vendi i fundit që po diskutojmë për masat”.
“Si opozitë nuk do ndalim, do gjejmë instrumentet që ta ftojmë në seancë të jashtëzakonshme qeverinë dhe kryeministrin dhe në asnjë rrethanë nuk do lejojmë rritjen e çmimit”.
Tahiri shtoi se miratimi i rezolutës që e detyron ZRRE-në dhe Qeverinë të mos lejojë ngritjen e çmimeve, është tepër e nevojshme. Ai foli edhe për kritikat e mazhorancës e cila ka përsëritur disa herë se gjendja aktuale në vend është pasojë e qeverisjeve të kaluara.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e zhvendosë vëmendjen dhe se po i duket që më mirë ka qenë në kohën e kriminelit Millosheviq se sa pas shpalljes së pavarësisë.
“Jemi duke i përcjellë me shqetësim këtë qasje të qeverisë, kryeministrit ku kryeministri mundohet duke u munduar ta zhvendosë debatin në dimension tjetër, që ne nuk e kemi problem për akuzat e tij, as për 20 vjet, as 30 vjet, sepse sipas tij në Kosovë më mirë është jetuar në kohën e Millosheviqit se sa nga pavarësia. Nuk e kemi dëgjuar kurrë të flasë për dëmet që u janë bërë këtij vendi gjatë Millosheviqit por vetëm pas pavarësisë”.