Lajme
Edhe mbështetësit më të mëdhenj të Kurtit i dalin kundër pas shtrenjtimit të rrymës
Demokracia
22:27 | 18 Janar 2022

Share:

Edhe mbështetësit me të mëdhenj të Qeverisë së Kosovës dhe të Albin Kurtit si kryeministër, tashmë kanë filluar të pozicionohet kundër vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Rreth 31 për qind e konsumatorëve do të preken nga tarifat e reja të energjisë, të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Partitë opozitare kanë kritikuar paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike. Në konferenca të ndara, PDK-ja dhe LDK-ja kanë akuzuar Qeverinë Kurti për paaftësi dhe mosveprim për, siç kanë thënë, mosshmangie të rritjes së çmimit të energjisë.

Por jo vetëm opozita është pozicionuar kundër, por edhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Njëri nga ta është opinionisti Jusuf Thaçi, cili për vite të tëra ka qenë mbështetës për ta parë Kurtin dhe VV-në në pushtet.

Thaçi ka reaguar pas aprovimit të Qeverisë në propozimin e ZRRE-së për rritjen e tarifës së energjisë elektrike.

Thaçi përmes një postimi në Facebook tha se mesatarja e Kosovës shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë rrymë brenda muajit, sipas një grafike të KEDS-it.

Ai tha se rritja e tarifës së energjisë do të prekë një numër të madh të ekonomike familjare.

“Gati cilado familje që, në mungesë të mundësive tjera, detyrohet ta përdorë energjinë elektrike për ngrohje, e kalon 600 kilovatëshin brenda muajit, edhe nëse mundohet të kursejë maksimalisht. Në mesin e këtyre ekonomive familjare ka shumë të tilla me kushte jo të mira financiare, të cilat rrymën nuk e përdorin për luks, por për nevoja ekzistenciale, siç është ngrohja (sepse nuk kanë opsion tjetër për ngrohje)”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi tha se Qeveria duhet të sigurohet që rritja e çmimit të energjisë të jetë sa më e vogël, sidomos për ekonomitë familjare me gjendje jo të mirë financiare.

Ndërsa shtoi se opozita më mirë do të ishte të organizonte protesta, në mënyrë qytetarët që  e pakënaqur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike të dalin dhe ta shprehin pakënaqësinë e tyre para qeverisë.

Po ashtu kundër ka dalë edhe Rron Gjinovci, i njohur po ashtu si mbështetës i Kurti. Me tarifat e reja, ai thotë se nga muaji i ardhshëm do të paguajë 160 euro, ani pse jeton vetëm.

“Jetoj vet. Shkoj në banesë pas orës 18:00. Rrallë shoh tv, rrallë përgatis ushqim me shporet. I laj teshat me maqinë, enët aq sa bohën, e laj veten çdo mëngjes. Nxehna me rrymë, s’ekziston mundësi tjetër. Rryma më vjen rreth 80 Euro në këtë periudhë të vitit. Me gjuhë të ZRrE-së, për me jetu me gjysë orari n’banesë i harxhoj përmbi 1000 KWh në muj. Pra nga muji i ardhshëm ko me pagu 160 Euro, për me jetu vet me gjysë orari në banesë”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjinovci thotë se mund ta paguajë këtë çmim, por pyet se çfarë do të bëjnë familjet ku ka edhe fëmijë dhe që duhet të ngrohen me rrymë.

“Unë muj me pagu, por çka bojnë njerzit që jetojnë në ni banesë si unë, që duhen me u nxe me rrymë, ama që kanë fmi e duhen me e nxe ton ditën ambientin e tyne. Paga mesatare në Kosovë 380 Euro. 40-50% të kësaj page duhen për me e pagu rrymën ashtu që KEDS-i me pasë profit”, shkruan ai.

Postimi i plotë i Thaçit:

Bazuar në grafikën e KEDS-it, mesatarja e Kosovës shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë rrymë gjatë muajit së paku gjatë gjysmës së vitit, përkatësisht duke përfshirë periudhën prej muajit nëntor deri në muajin prill.

Nisur nga ky fakt, rritja e energjisë elektrike për ata që e kalojnë shpenzimin e mbi 600 kilovatëve rrymë brenda muajit do të prekë një numër shumë të madh të ekonomive familjare.

Gati cilado familje që, në mungesë të mundësive tjera, detyrohet ta përdorë energjinë elektrike për ngrohje, e kalon 600 kilovatëshin brenda muajit, edhe nëse mundohet të kursejë maksimalisht. Në mesin e këtyre ekonomive familjare ka shumë të tilla me kushte jo të mira financiare, të cilat rrymën nuk e përdorin për luks, por për nevoja ekzistenciale, siç është ngrohja (sepse nuk kanë opsion tjetër për ngrohje).

Justifikimi se energjia elektrike në Kosovë është shumë lirë krahasuar edhe me rajonin është tërësisht i papranueshëm, sepse fatkeqësisht këtë rrymë më të lirën në rajon ne qytetarët e Kosovës e paguajmë me shëndetin tonë, me ajrin më të ndotur jo vetëm në rajon, por edhe në nivel botëror.

Prandaj, qeveria e Kosovës duhet të sigurohet që rritja e çmimit të energjisë elektrike të jetë sa më e vogël, sidomos për ekonomitë familjare me gjendje jo të mirë financiare. Dhe në këtë pikë qeveria nuk duhet ngatërruar e të mendojë se niveli i shpenzimit të energjisë elektrike është në proporcion të drejtë me nivelin e të ardhurave të ekonomive familjare në Kosovë, sepse këtë proporcion e prishë variabla “ngrohje me rrymë”, kur nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më të lirë, madje në shumë raste nuk ka fare alternativë tjetër.

Kurse opozita në Kosovë, mirë që po organizon konferenca për media e po thërret seanca të kuvendit për të diskutuar dhe kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, por besoj që më mirë do të ishte të organizonte protesta për këtë qëllim, në mënyrë që të gjithë ne qytetarët që jemi të pakënaqur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike të dalim dhe ta shprehim këtë mesazh pakënaqësie e kundërshtie para qeverisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme