Paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë kanë filluar që disa muaj, por qytetarëve u ishte thënë se nëse do të ketë rritje të çmimit kjo do të bëhet nga muaji prill.
E propozimi i fundit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) thotë se rritja e çmimit do të bëhet duke filluar nga muaji shkurt, koha kur qytetarët shpenzojnë më shumë për shkak të stinës së dimrit dhe përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje meqë nuk kanë shumë alternativa të tjera, shkruan Demokracia.com.
Mu në kohën kur shpenzimi është më i lartë qytetarët do të paguajnë dyfish për energji elektrike. Dhe kur e dimë që s’janë bërë as një muaj nga subvencionimi i Qeverisë prej 20 milionë eurosh për të blerë rrymë në bursat ndërkombëtare.
E propozimi për rikthimin e sistemit të blloktarifave godet në mënyrë direkte shumicën e konsumatorëve kosovarë.
Kjo rritje parashihet të ndodhë për të gjithë konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600KWh, shkruan Demokracia.com.
“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë. Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektrike që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbuluar nivelin e kostove të arsyeshme”, thuhet në raportin e ZRRE-së.
Kujtojmë që në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur pati thënë se tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri më 1 prill 2022, kur bëhet rishikimi i rregullt çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e rregulluar (KESCO, KEDS dhe KOSTT).
Ky shqyrtim ishte thënë se ka për qëllim të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike.
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar tashmë që rritja të jetë 7 për qind.
Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
Importi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, pasi që termocentralet në Kosovë aktualisht nuk po arrijnë të prodhojnë më shumë se 500 megavatë energji elektrike në orë.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve. /Demokracia.com/