Ish-kandidati për kryetar të komunës së Kaçanikut, Jeton Raka, pasi nuk mundi t’i fitonte zgjedhjet në këtë komunë, është rehatuar nga bashkëpartiaku i tij në Komunën e Shtimes.
Raka është emëruar në krye të drejtorisë së Prokurim në Shtime nga bashkëpartiaku i tij, kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu.
Për këtë emërim ka reaguar edhe Partia Demokratik e Kosovës në Shtime.
Përmes një reagimi për media nga kjo parti e kanë quajtur të papranueshme emërimin e Jeton Rakës nga Kaçanikut në krye të Prokurimit në Shtime.
Sipas tyre, kjo qasje tregon jo seriozitet, papërgjegjshmëri dhe injorancë e tejskajshme ndaj qytetarit të Shtimes.
“Ndonëse pushteti lokal i udhëhequr nga Qemajl Aliu është vonuar në emërimin e drejtorëve komunale ende nuk ka publikuar njoftimin zyrtar dhe nuk e ka kompletuar në tërësi emërimin e drejtorive dhe nënkryetarit të Komunës. Përmes këtij reagimi publik shprehim shqetësimin e kësaj vonese, por edhe më keq emërimin e personave nga komunat fqinje në këtë rast emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Prokurim nga komuna e Kaçanikut, Jeton Raka, ish kandidat i VV-së për kryetar. Kjo qasje tregon jo seriozitet, papërgjegjshmëri dhe injorancë e tejskajshme ndaj qytetarit të Shtimes, kur dihet se në komunën e Shtimes ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i dal zot kësaj pune”, thuhet në reagim.
PDK-ja tutje thotë se qëllimi kryesor është rehatimi i militantëve partiakë të VV-së.
“Edhe pse ekzekutivi është i ndërtuar mbi bazën e koalicioneve të shumë subjekteve politike në Shtime (LDK, AKR) nuk ka arritur të gjej persona adekuat brenda komunës dhe persona kompetent të kualifikuar dhe kjo nuk vije si pasojë e asaj se në Shtime nuk ka njerëz, por qëllimi kryesor është rehatimi i militantëve partiakë të VV-së. Qytetari i Shtimes duhet të jetë prioritet i Komunës së Shtimes!”, thuhet në reagimin e PDK-së. /Demokracia.com/