Lajme
Nasim Haradinaj tronditë mediat në Beograd me deklaratën se ka vrarë ushtarë dhe oficerë serbë ‘sa ka mujt’
Demokracia
12:16 | 13 Janar 2022

Share:

Deklarata para trupit gjykues e Nasim Haradinaj dje në Hagë se “kom vra ushtarë e oficerë serbë sa kom mujt”, ka bërë bujë të madhe në mediat serbe.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj para trupit gjykues ka thënë se ka vrarë ushtarë dhe oficerë serbë, e jo civilë, shkruan Demokracia.com.

Ai i është përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit se a mendon se UÇK-ja ka kryer krime, duke thënë se UÇK-ja gjatë luftës nuk ka vrarë civilë, por vetëm e ka mbrojtur Kosovën.

“Po, kam vrarë ushtarë e oficerë serbë, por kjo nuk ka lidhje me civilët. Nuk jam kthyer nga Suedia që të japi lule, por jam kthyer që të shkojë në front. Kam pranuar të vdes. Unë kam qenë në front, po flas për pikën e parë, nuk jam marrë me civilë, e as që jam marrë me ta pas luftës. Vendi im është çliruar dhe kjo është në rregull. Unë kam qenë i plagosur, kam mundur të jem edhe i vrarë, por askush nuk po pyet pse me kanë plagosur. Në rastin tim, askush nuk po kërkon përgjegjësi pse me kanë plagosur, e as që kam gjuajtur në të derisa kam qenë i sulmuar. Jam sulmuar në vendin tim”, është deklarata e Haradinajnt që e transmeton gati secila media në Serbi.

Disa media më nacionaliste në Serbi e kanë konsideruar skandaloze këtë deklaratë të Haradinajt.

“Pranim skandaloz, Haradinaj: Kam vrarë ushtarë dhe oficerë serb”, është titulli i gazetës “Alo”

Haradinaj, i cili në Hagë po gjykohet për publikim të dokumenteve konfidencial, ka thënë se të gjitha aksionet e UÇK-së kanë qenë transparente.

Dëshmia e Nasim Haradinajt ka filluar më 11 janar para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 për shkak të rrjedhjes së dokumenteve nga Gjykata Speciale. /Demokracia.com/

Të ngjashme