Sistemi VAR është projekti i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit për Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022, projekt i cili mbulohet i gjithë me buxhetin e FSHF-së.
Prej më shumë se dy vitesh Federata e Futbollit është duke punuar intensivisht për këtë projekt që do të rrisë akoma më shumë cilësinë dhe besueshmërinë e futbollit shqiptar.
“Ndërkohë që jemi pothuajse në fund të procesit parapërgatitor, në Federatën e Futbollit është zhvilluar një takim mes zyrtarëve të FSHF-së dhe homologëve të Federatës së Futbollit të Kosovës për të ndarë eksperiencën tonë, momentet ku mund të bashkëpunojmë dhe në të njëjtën kohë u ndanë hapat që duhet të ndiqen momentalisht në këtë procesi impenjativ”, thuhet në FSHF, transmeton Demokracia.com.
Homologët e FFK-së vlerësuan takimin dhe theksuan se janë duke punuar intensivisht për të arritur të jenë të gatshëm për sezonin e ardhshëm. Aktualisht kanë kaluar etapën e parë ku janë dakordësuar për parimet bazë me IFAB dhe FIFA dhe janë duke filluar procesin e trajnimit të stafit që angazhohet në proces dhe në momentin e implementimit. /Demokracia.com