Sindikata e Infermierëve të Kosovës i ka adresuar disa kërkesa Qeverisë së Kosovës këtë të mërkurë, ndër të cilat ishte edhe të rritet 100 për qind pagesa e ndërrimeve të natës për infermierë nga 18 euro në 36.
Në listën e kërkesave të kësaj sindikate është edhe të fillojë pagesa e rrezikshmërisë në punë për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë.
Në komunikatën e lëshuar nga kjo sindikatë, bëhet e ditur se kërkesa e tretë drejtuar ekzekutivit ishte që të paguhet puna gjatë festive dhe puna gjatë vikendit, e gjithashtu edhe puna jashtë orarit, sipas ligjeve në fuqi.
Në njoftimin e Sindikatës së Infermierëve, ndër tjera i është kujtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që vetëm përgjatë vitit 2021, mbi 400 infermierë janë larguar nga Kosova, ndërsa gjatë këtij viti pritet që kjo shifër të dyfishohet.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës u’a kujton Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që vetëm gjatë viti 2021 nga Kosova janë larguar mbi 400 infermierë, ndërsa gjatë këtij viti pritet që ky numër të shkojë deri në 900 infermier”, thuhet në njoftim.
Tutje është paralajmëruar se nëse këto kërkesa “hasin në vesh të shurdhër dhe institucionet zgjedhin injorimin si platformë komunikimi me infermierët”, do të jenë të detyruar që të ndërmarrin veprime sindikale, duke filluar nga protestat në nivel vendi e deri te ndërprerja dhe bojkoti i punës.