Sport
KOK-u po përgatitet për një Kuvend të zjarrtë, Demokracia.com mëson delegatët dhe kandidatët për presidentë
Demokracia
11:33 | 26 Shkurt 2021

Share:

Komiteti Olimpik i Kosovës përkatësisht Bordi Ekzekutiv ka caktuar dje datën e mbajtjes së Kuvendit zgjedhor në institucionin më të lartë të sportit kosovar, shkruan Demokracia.com.

25 mars 2021 është data kur është caktuar data e kuvendit, i cili si kurrë më parë sivjet pritet të jetë i zjarrtë dhe me shumë rivalitet.

Besim Hasani i cili këtë institucion e udhëheq nga viti 1996 (25 vjet), këtë vit do të ketë një konkurrencë bukur të madhe për ta ruajtur karrigen e tij.

Burime të portalit Demokracia.com, mësojnë se postin e presidentit të KOK-ut në asamblenë e ardhshme do ta kërkojnë edhe Ismet Krasniqi, Milaim Kelmendi e Linda Shala, të cilët duket se kanë mbështetje bukur të madhe të delegatëve.

Por cilat janë proceduarat dhe sa delegatë pritet të jenë prezentë në Kuvendi i KOK-ut, duhet të pritet edhe disa ditë, kjo pasi Federatat ende nuk i kanë konfirmuar emrat e delegatëve dhe këtë duhet ta bëjnë deri me 12 mars.

Gjithsesi, sipas zëdhënësit të KOK-ut, Kushtrim Krasniqi diku rreth 100 delegatë pritet të jenë prezentë.

“Fillimisht do të mbahet Kuvendi i Punës dhe pas përfundimit të Kuvendit të Punës mbahet Kuvendi Zgjedhor, në të cilin marrin pjesë delegatët e deleguar nga federatat dhe të cilët do të kenë të drejtë vote. Pritet të jenë rreth 100 delegatë, bazuar edhe në federatat e fundit të anëtarësuara në KOK nga Asambleja e fundit e Punës”, ka thënë për Demokracia.com Krasniqi.

“Numri i saktë i delegatëve nuk dihet, pasi varet nga federatat olimpike se sa delegatë i dërgojnë, pasi sipas statutit të KOK-ut, federatat olimpike duhet të dërgojnë tre delegatë, me kushtin që njëri të jetë i gjinisë femërore, ndërsa në disa federata ka mungesë të gjinisë femërore në Bordet e federatave”, tha Krasniqi ,duke folur më pas edhe për procedurën e votimit dhe numrin e votave që duhet t’i ketë një kandidat për ta marrë këtë post.

“Për president duhet mi pas 51 përqind ose 50+1 vota. Por, nëse janë 3, 4 ose 5 kandidatë dhe nëse në raundin e parë nuk i bënë asnjë kandidat mbi 50 përqind, atëherë dy të parët shkojnë në balotazh dhe zgjidhet njëri prej tyre me shumicë votash, sqaron Krasniqi.

Gjithsesi, deri më tash përveç kryetarit aktual asnjë kandidat nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën për president derisa afati për këtë është data 12 mars.

“Afati për dërgimin e emrave të delegatëve dhe kandidaturat për president, nënpresidentë dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv është 12 mars 2021. Ne e llogarisim zyrtarisht kandidat për këto pozita, vetëm kur federatat i sjellin kandidaturat në KOK, duke respektuar afatin. Federatat i kanë marrë të mërkurën formularët për pjesëmarrje në Asamble”, ka përfunduar Kushtrim Krasniqi. /Demokracia.com

Të ngjashme