Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, është duke i përzgjedhur emrat e drejtorëve të rinj nga radhët e LDK-së.
Ndonëse ende ka shumë paqartësi rreth drejtorive dhe mundësitë për ndryshime mbesin të hapura, Demokracia.com ka mësuar se Drejtor i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës do të jetë Florian Dushi.
Për Dushin si drejtor të Inspekcionit mësohet se ka pajtueshmëri të plotë mes lidershipit të LDK-së dhe kryetarit Rama.
Po ashtu, nëse Drejtoria e Shëndetësisë i mbetet definitivisht LDK-së, Demokracia.com ka mësuar se Rama tashmë e ka gjetur edhe “zëvendësuesin” e Arben Vitisë, të cilin e kishte ofertuar publikisht për t’ia dhënë këtë drejtori.
Drejtoria e Shëndetësisë i është premtuar infektologut Izet Sadiku, por që ende nuk dihet nëse kjo drejtori përfundimisht po i mbetet LDK-së. Megjithatë, nëse i mbetet, Izet Sadiku si drejtor është pothuajse çështje e mbyllur.
Ramës si duket nuk po i ngutet fare përzgjedhja e drejtorëve dhe krijimi i shumicës në Kuvendin Komunal, pasi që po synon t’i ulë “pazaret” politike. /Demokracia.com/