Një raportim për vdekjen e 23 personave, pasi kanë marrë vaksinën kundër Covid-19, i publikuar në disa media ndërkombëtare, e që është përcjellë edhe nga disa media në gjuhën shqipe, ka rënduar edhe më tutje përpjekjet për të bindur njerëzit gjithandej botës që të marrin vaksinën kundër Covid-19, e cila po shihet si arma kryesore për t’i dhënë fund pandemisë, raporton Demokracia.com
Gjatë tërë javës, media të ndryshme në botë, por në përgjithësi media të vogla dhe më pak të njohura, kanë shkruar se në një shtëpi për të moshuarit në Norvegji kanë vdekur 23 banorë, pasi kishin marrë vaksinën dhe për këtë thirreshin në burime nga autoritetet norvegjeze.
Në anën tjetër, asnjë medie norvegjeze nuk ka raportuar për këto vdekje. Mediat që kanë shkruar për këtë rast e kanë cituar Sigurd Hortemo, mjekun kryesor të Agjencisë Norvegjeze të Barnave, mirëpo kërkimet e gazetarëve të Demokracia.com nuk gjetën asnjë citat të tij që flet për 23 të vdekur nga vaksina.
Ndërsa media norvegjeze “nettavisen” (NTB), ka raportuar vetëm për dy persona të vdekur në shtëpinë e të moshuarve, e të cilët kishin marrë vaksinën kundër Covid-19. Por hetimet ende nuk kanë konstatuar ndonjë lidhshmëri në mes këtyre vdekjeve dhe vaksinës. Drejtori mjekësor i Agjencisë Norvegjeze të Barnave, Steiner Madsen, për NTB ka thënë se deri më tani, nga studimet që janë bërë, nuk ka asnjë provë se vaksina kundër COVID-19 shkakton vdekje dhe ka shtuar se, “ne ende duhet të vlerësojmë nëse vaksina është shkaku i vdekjes (së banorëve të shtëpisë për të moshuar), ose nëse është rastësi që vdekja ka ndodhur menjëherë pas vaksinimit”.
Agjencia Norvegjeze e Barnave ka treguar se efektet anësore të zakonshme nga vaksina janë: lodhja, dhimbja e kokës, dhimbjet e muskujve, dhimbjet e kyçeve, dhe ethet. Sipas saj, reagimet mund të jenë të pakëndshme, por zhduken pas disa ditësh. Mbi të gjitha, kjo agjenci, të cilës i mvishet citati se “23 njerëz vdesin në Norvegji, pasi morën dozën e parë të vaksinës Pfizer”, në fakt nuk flet askund për 23 persona të vdekur nga vaksina.
Për këtë ngjarje nuk kanë raportuar asnjë nga mediat më të mëdha në SHBA, Britani e Gjermani të cilat i ka verifikuar redaksia e Demokracia.com.
Një rast i ngjashëm është edhe ai i infermieres amerikane, Tiffany Dover, të cilës i ra të fikët në televizion, pasi mori vaksinën kundër COVID-19.
Në rrjetet sociale është shkruar se ajo ka vdekur, por mediat raportuan se kjo nuk është e vërtetë.
Pandemia globale e koronavirusit dhe vaksina për të ndaluar përhapjen e tij është duke çaluar për shkak të dilemave të njerëzve. Kjo rëndohet edhe më shumë nga fushata e atyre që janë kundër vaksinimit në përgjithësi, të njohur si “anti-vax”./Demokracia.com