Martesa e vëllait të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, me një partner të gjinisë së njëjtë e ka riaktualizuar temën e martesave ndërmjet personave të së njëjtës gjini edhe në Kosovë.
Edhe pse sikur të jetonte në Kosovë, vëllai i deputetes Kusari-Lila nuk do të mund ta kurorëzonte dashurinë e tij me martesë, debatin rreth martesës së dy partnerëve të së njëjtës gjini ka shumë figura publike që po e cilësojnë “jo në interes të publikut”.
Kushtetuta e Kosovës e lejon martesën mes dy partnerëve të së njëjtës gjini në Kosovë, por kjo nuk lejohet me Kodin Civil të Republikës së Kosovës dhe as me Ligjin mbi Familjen, shkruan Demokracia.com.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet ‘se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin’.
Ndërkaq, Ligji për Familjen thotë se ‘martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua’.
Kjo gjë, siç mëson Demokracia.com, ishte pjesë e një debati të ashpër edhe përbrenda grupeve që po punonin në plotësim/ndryshimin e Kodit Civil në Kosovë.
Qeveria e Kosovës pak ditë më parë ka miratuar projekt Kodin Civil. Kryeministri Albin Kurti tha se kjo reformë do të jetë në funksion të realizimit të të drejtave të qytetarëve, duke pasur për bazë standardet ndërkombëtare. Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Nxjerrja e Kodit Civil ka për qëllim unifikimin, harmonizimin e ligjeve të fushës civile në një tërësi. Kodi Civil ka 1631 nene të cilat të strukturuara në 5 libra ku hynë pjesa e përgjithshme, detyrimet, pronësia e të drejtat sendore, familja dhe trashëgimia”, tha Haxhiu.
Demokracia.com ka mësuar se ndryshimi i nenit për lejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë ka ngjallur shumë debate me komunitetin LGBTQI+.
Si është e rregulluar në rajon martesa mes çifteve të gjinisë së njëjtë?
Mali i Zi ka miratuar Ligjin për martesat e gjinisë së njëjtë gjatë qeverisë së kaluar, përkatësisht më 1 korrik 2020.
Në Serbi ende nuk është miratuar një ligj i tillë, ndonëse edhe vetë kryeministrja Bërnabiq e ka partneren e gjinisë së njëjtë.
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve më 4 mars të vitit 2021 kishte publikuar draft-ligjin për partneritet ndërmjet gjinive. Sipas kësaj ministrie, ky ligj e legalizon partneritetin, por jo edhe martesën. Në anën tjetër, më 1 maj të vitit të kaluar, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç kishin raportuar mediat atje, kishte thënë se nuk do ta nënshkruajë një ligj të tillë, sepse ai është kundër Kushtetutës dhe Ligjit për Familjen.
As Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria nuk kanë legjislacion që lejon martesat mes çifteve të gjinisë së njëjtë. /Demokracia.com/