Viti 2021 ka ulur shpresën dhe lumturinë globale, në krahasim me të kaluarin, kështu të paktën tregojnë të gjeturat e një sondazhi të publikuar nga “Gallup International”. Sa i përket qytetarëve të Kosovës, pavarësisht pretendimeve të qeverisë se janë hapur vende të reja të punës, nuk është se presin ndryshime në sektorin e ekonomisë.
Është e qartë se pandemia globale ka rritur frikën dhe ka ulur pritshmëritë e qytetarëve për një stabilitet të ekonomisë, megjithatë, situata ndryshon sipas rajonit dhe vendit, raporton Demokracia.com.
Vetëm 45 për qind të qytetarëve të Kosovës presin që të ketë prosperitet të ekonomisë gjatë vitit 2022, 23 për qind besojnë se do të përballen me vështirësi ekonomike, 27 për qind mendojnë se situata do të jetë e njëjtë, ndërsa 4 për qind nuk duan të përgjigjen për këtë çështje.
Këto përfundime kanë ardhur pas një sondazhi që “Gallup International” ka realizuar në disa vende, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.
Për këtë sondazh, janë intervistuar gjithsej 953 persona.
Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti ka pretenduar se Kosova “ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme ekonomike”.
Ajo që ka habitur më shumë, është se kryeministri ka thënë se janë regjistruar 10 mijë vende të reja të punës, ani se nuk ka asnjë fakt që e dëshmon këtë.
“Pastaj kemi regjistruar diku rreth 10 mijë vende të reja pune, i kemi mbajtur 50 mbledhje si qeveri, me 458 vendime dhe gjithsej me 112 projektligje. Rritja ekonomike do të jetë dyshifrore, është interesant që tremujori i dytë i këtij viti kishte rritjen ekonomike 16.3 për qind ndërkaq tremujori i tretë i kishte 14.5 për qind”, kishte thënë Kurti.
Sidoqoftë, raporti i Bankës Botërore për Kosovën thotë krejt diçka tjetër, ndërsa rritja dyshifrore e ekonomisë është shumë larg.
Raporti i publikuar në tetor tregon se në vitin 2021, PBB-në do të tejkalojë nivelet e vitit 2019 deri në fund të vitit, por rreziqet për parashikimin mbeten të larta, pasi vendi vazhdon të përballet me pandeminë.
“Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind pas një rikthimi më të fortë sesa pritej në vizitat e diasporës, rikthimin e besimit të konsumatorëve dhe rritjen e kredive për konsum”, thuhet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.
Kjo nuk është hera e parë që Qeveria Kurti ka dalë publikisht dhe ka bërë lojë fjalësh sa i përket punësimit të qytetarëve të Kosovës.
Javë më parë, Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë se në qeverisjen e tyre janë krijuar 22 mijë vende të reja pune.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pretendoi se janë shtuar mbi 9 mijë vende të punës për vetëm 6 muaj të qeverisjes së tyre./Demokracia.com/