Lajme
Rreth 400 mijë euro të sekuestruara dhe 12 persona të arrestuar nga aksioni i sotëm i policisë
Demokracia
14:02 | 24 Shkurt 2021

Share:

Prokuroria e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e sotëm në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në një konferencë për medie ka dhënë detaje rreth aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës për bastisje në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, raporton Demokracia.com.

Lumezi, ka treguar detaje, duke thënë se aksioni i sotëm është pas hetimeve që janë bërë që nga muaji janar.

“Nga muaji janar kanë filluar grumbullimet e informacioneve të cilat kanë rezultuar që duhet të zbatohen edhe masat e fshehta e hetimeve dhe vëzhgimit dhe pas ndërmarrjes së këtyre informatave kemi ardhur në përfundim që duhet të bëhet edhe bastisja në disa lokale të ndryshme se mund t’i gjejmë mjete financiare të përfituara nga vepra penale dhe pas marrjes së urdhrit nga gjyqtari i procedurës paraprake, sot në mëngjes kemi bërë bastisjen dhe gjatë bastisjes e kemi arsyetuar kërkesën për bastisjes kemi sekuestruar një shumë të madhe të të hollave, kemi sekuestruar vetura, kompjuter, laptop, telefona që do të na shërbejnë në procedurën e ardhshme. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, 10 janë persona zyrtar dhe dy janë qytetarë tjerë të cilët i kanë ndihmuar këtyre personave në forma të ndryshme. Të njëjtit dyshohen për vepra të ndryshme penale për keqpërdorim të subvencioneve, për keqpërdorim të detyrës dhe zyrtare, për marrje dhe dhënie të ryshfetit. Në bazë të provave dhe informacioneve ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme me qëllim që t’i forcojmë provat”, tregoi Lumezi, raporton më tutje Demokracia.com.

Në anën tjetër, Nazmi Sahiti, drejtori i krimeve ekonomike, ka bërë të ditur se janë rreth 400 mijë euro që janë sekuestruar nga ky aksion dhe të gjitha paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve.

“Gjatë aksioni të ditës së sotme është konfiskuar një shumë e madhe e parave diku rreth 400 mijë eurove, saktësisht nuk e dimë shifrën, por kjo është e përafërta. Aksioni është bërë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë është Agjencinë i pavarur, Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë dhe disa institucione në disa komuna siç është Istogu, Gjilani, Lipjani dhe Peja.  Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve dhe ato janë përmendur gjatë gjithë kohës nga masat e fshehta dhe dyshohet se janë marrë nga ryshfeti, janë përfituar nga ryshfeti”, ka thënë Sahiti.

Kurse Lumezi ka sqaruar se paratë janë sekuestruar pasi që në bazë të hetimeve që janë bërë, këto para janë përfituar në mënyrë të paligjshme, pra nga ryshfeti marrja dhe dhënia e ryshfetit.

Ndërkaq, prokuror i këtij rasti është Rafet Halimi. /Demokracia.com/

Të ngjashme