SC Gjilani e ka përmbyllur me sukses stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.
“Kuqebardhët” e drejtuar nga trajneri, Ismet Munishi po dimërojnë si kampion në elitën e futbollit kosovar, pasi janë në vendin e parë me 35 pikë, një më shumë se Drita dhe dy më shumë se Ballkani, raporton Demokracia.com.
Gjithsesi, Gjilanin e pret edhe një tjetër stinor i gjatë dhe i vështirë në rrugëtimin e tyre për t’u stolisur me titullin e kampionit për herë të parë prej se klubi është themeluar.
Kësisoj, për këtë arsye skuadra do t’i kthehet punës më 5 janar kur nisin përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit.
Demokracia.com nga burime brenda klubit gjilanas mëson se ekipi do të nis përgatitjet me 5 janar në Gjilan, ndërsa aty do të stërvisin vetëm pesë ditë.
Më 10 janar, “Skifterat” do të udhëtojnë drejt Durrësit për të vazhduar me përgatitje për shtatë ditë me radhë.
Gazeta mëson gjithashtu se pas Durrësit, destinacion i radhës i Gjilanit për përgatitje do të jetë qyteti bregdetar turk, Antalia.
Në Turqi skuadra e Gjilanit do të zhvendoset më 18 janar dhe do të qëndrojë deri në datën 30 të po atij muaji.
Presidenti, Florim Zuka dhe drejtuesit e tjerë të klubit janë të përkushtuar maksimalisht në mënyrë që futbollistët dhe stafi i trajnerëve të kenë të gjitha kushtet e duhura për punë.
Gjilani ndeshjen e parë zyrtare të vitit 2022 e luan në shtëpi kundër Dukagjinit në kuadër të Kupës së Kosovës në futboll në mesin e muajit shkurt./Demokracia.com/