Reali i Madridit do të luajë ndeshjen e fundit të vitit në San Mames ndaj Atleticos së Bilbaos. Një ndeshje që vjen në momentin më të papërshtatshëm për klubin madrilen. Numri i të infektuarve në skuadër ka shkuar në 11.
I fundit që iu bashkua listës është David Alaba, i cili ditën e djeshme rezultoi pozitiv në testin PCR, duke humbur sfidën e radhës. Përveç austriakut, lojtarët e tjerë që do të mungojnë janë Luka Modriç, i cili edhe pse ka një tampon negativ, është lënë jashtë listës.
Ndërkohë, Marcelo, Asensio, Rodrigo, Bale dhe Lunin nuk do të jenë, shto këtu dhe Iscon, që pas simptomave të shfaqura të hënën, rezultoi pozitiv. Trajneri arlo Ancelotti tha në konferencën për shtyp se Modriç është duke vuajtur ende pasojat e virusit dhe nuk është gati për ndeshjen, edhe pse është negativ.
Mungesa të sigurta, edhe pse jo për shkak të Covid, do të jenë dhe ato të Dani Sebalos dhe Carvahal, të cilët nuk janë ende gati. Ndërkohë që do të jetë një mundësi e mirë për Kamavingën për të zënë një vend në mesfushë pas pezullimit për shkak kartonësh të Casemiros. Ndërkohë që Militao do të jetë në krah të Nachos që do të zëvendësojë Alaban. /Demokracia.com