Sport
“Po i ndërroni si çorapet” – Tifozët e Ballkanit të pakënaqur me ndërrimin e trajnerëve
Demokracia
17:25 | 21 Dhjetor 2021

Share:

Ballkani dhe trajneri kosovar, Bekim Isufi kanë vendosur të ndajnë rrugët të martën (sot).

Isufi është larguar nga pozita e trajnerit te suharekasit vetëm gjashtë muaj pasi u emërua, shkruan Demokracia.com.

Bekim Isufi është trajneri i tretë i shkarkuar nga “portokallezinjtë” brenda një viti kalendarik.

Po thuajse këso kohe një vit më parë ata e shkarkuan Ismet Munishin i cili po e drejtonte në rrugë të mirë skuadrën drejt objektivave, për ta emëruar në vend të tij Bledi Shkëmbin.

Shkëmbi drejtoi Ballkanin në stinorin pranveror të edicionit të kaluar duke dështuar të sjellë titullin e kampionit dhe daljen në Evropë të Ballkanit.

Bekim Isufi u emërua në krye të stolit në qershor të këtij viti duke drejtuar skuadrën nga Suhareka në 19 ndeshje zyrtare.

Megjithatë, edhe Isufit i erdhi fundi duke u shkarkuar nga Ballkani më 21 dhjetor, pra sot.

Gjithsesi, në njoftimin e Ballkanit për ndërprerjen e bashkëpunimit me Isufin, nuk i ka pëlqyer edhe shumë prej tifozëve të skuadrës të cilët shprehën pakënaqësitë e tyre në hapësirën e komenteve në postim.

Një nga ta u shpreh se sistemi i ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve nuk është i duhuri për skuadrën e Ballkanit.

Ndërsa, një tjetër shkroi se “Ballkani po i ndërron më shumë trajnerët, sesa çorapet”.

Kujtojmë se Bekim Isufi më parë në futbollin e Kosovës drejtoi Dritën me të cilën u stolis me titull të kampionit tri edicione më parë, ndërsa udhëhoqi edhe Hajvalinë dhe Ferizajn.

Zëvendësuesi i Isufit te Ballkani do të emërohet ditët në vijim. /Demokracia.com/

Të ngjashme