Humbja me Napolin la një shije të keqe në shtëpinë e Milanit, ku hidhërimi u përzie edhe me zemërimin për episodin e golit të anuluar të Kessie. Për kuqezinjtë tashmë është koha për t’u rikthyer në fushë, ndaj Empolit, një ndeshje e prezantuar nga Stefano Pioli në konferencë për shtyp:
“Dëgjoj dhe lexoj gjëra të ndryshme, disa të sakta dhe të tjera që duhet t’I marrim parasysh. Ne përpiqemi të bëjmë më mirë. Me Liverpool dhe Udinese nuk më pëlqeu skuadra, ndaj Napolit përgjigja ishte aty.
Empoli është një ekip i fortë, që luan futboll të mirë, ndaj do të duhet vëmendje dhe vendosmëri. Kundërshtarët janë të gjallë dhe të shpejtë, por ne gjithashtu kemi karakteristikat e duhura për të bërë mirë”.
Hernandez duhet të rikthehet për të qenë pjesë e formacionit startues pas etheve që nuk e lejuan atë të dilte në fushën e “San Siro” të dielën në mbrëmje:
“Hernandez është më mirë, kaloi një javë të vështirë. Krahasuar me vitin e kaluar ai është përmirësuar, veçanërisht në fazën mbrojtëse”.
Një vlerësim edhe për “offside” aktiv / pasiv të Giroud, temë që nuk mund të injorohet: “Unë besoj se interpretimi i rregullit nuk ishte i saktë. Në dinamikën e futbollit, pozicioni jashtë loje i Giroud nuk mund të dënohet. Klubi do të ankohet në vendet e duhura, është e kotë ta bësh këtë në mënyrë publike”.
Përveç Leao, kundër Empolit do të mungojë edhe Zlatan Ibrahimovic: “Leao duhet të kthehet më 6 janar kundër Romës. Mbingarkesa në gjurin e majtë bën që Ibrahimovic të mos jetë në Empoli”.