Sport
Afër gjashtë muaj zgjati “martesa”, ky është bilanci i Ballkanit nën drejtimin e Bekim Isufit
Demokracia
15:45 | 21 Dhjetor 2021

Share:

Afër gjashtë muaj ka zgjatur aventura e trajnerit, Bekim Isufi në krye të shtabit teknik te skuadra e Ballkanit të Suharekës.

Më 15 qershor të këtij viti, Bekim Isufi u prezantua në ambientet e klubit suharekas si trajneri më i ri i skuadrës, por “kurorëzimi” mes tyre zgjati për afër gjashtë muaj, shkruan Demokracia.com.

Isufi u shkarkua sot (e martë – 21 dhjetor 2021) nga posti i trajnerit të “portokallezinjve”, anise Ballkani ndodhet brenda objektivave të saj kur ka përfunduar stinori vjeshtor në elitën e futbollit kosovar.

Trajneri nga Gjilani drejtoi Ballkanin në 19 ndeshje zyrtare që të gjitha në edicionin 2021/22, përfshirë një ndeshje në Kupën e Kosovës.

Nga këto ndeshje, “Xhebrailat” korrën 10 fitore, një nga to në Kupën e Kosovës kundër Rahovecit.

Ballkani gjithashtu këtë edicion nën udhëheqjen e Isufit barazoi në gjashtë duele, ndërsa pësoi tri humbje.

Ulpiana, skuadra që u inkuadrua këtë edicion në elitë ia shkaktoi disfatën e parë Ballkanit me rezultat 2:1, për ta vazhduar më pas Llapi 4:1 dhe krejt në javën e fundit të stinorit Gjilani 0:1 në mes të Suharekës.

Skuadra e Ballkanit regjistroi plot 22 gola gjithsej, ndërsa pësoi 14. Ballkani përfundoi e treta në tabelë në stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll me 33 pikë, vetëm dy më pak se Gjilani lider.

Kujtojmë se Bekim Isufi më parë në futbollin e Kosovës drejtoi Dritën me të cilën u stolis me titull të kampionit tri edicione më parë, ndërsa udhëheqi edhe Hajvalinë dhe Ferizajn.

Zëvendësuesi i Isufit te Ballkani do të emërohet ditët në vijim, ndërsa nga emrat e përfolur është edhe ai i Ilir Dajës që për momentin drejton Partizanin e Tiranës. /Demokracia.com/

Të ngjashme