Për gati një shekull, rutina e përditshme e Kuttiyamma ishte pothuajse e njëjtë. Ajo ngrihej herët në shtëpinë që gjendet në fshatin Thiruvanchoor, në Kerala, dhe fillonte punët e ditës duke gatuar, pastruar dhe ushqyer lopët e pulat.
Por, tani çdo mëngjes, ajo mezi pret shpërndarësin e gazetave për t’i dhënë gazetën lokale “Malayala Manorama”. Për dy orë, ajo zhytet duke lexuar lajmet dhe duke e mbajtur veten të informuar për atë që po ndodh. Vetëm në muajt e fundit 104 vjeçarja, ka mundur të përmbushë këtë ëndërr të saj, në prill, Kuttiyamma filloi të mësojë të lexojë.
“Kam qenë gjithmonë kurioze për atë që po ndodhte nëpër botë. Në shumë raste jam penduar për pamundësinë time për të lexuar gazeta dhe u lutesha brezave të rinj në shtëpi që të mi lexonin. Gjithmonë kam dashur të di të shkruaj emrin dhe adresën time.” tha ajo.
Pas disa muajsh mësimi mbrëmjeve në shkollën fillore të Kerala, ajo u bë muajin e kaluar gruaja më e moshuar që morri dëftesën. Ajo arriti 89% në shkrim-lexim dhe 100% në matematikë, shkruan Theguardian, transmeton Klankosova.tv.
“Arsimimi për gratë anëtare të familjes ishte i paimagjinueshëm në atë kohë. Edhe djemtë i ndërpritnin studimet në moshën nëntë vjeçare. Prindërit e mi ishin punëtorë bujqësorë dhe ishte detyra ime të gatuaja ushqime, të laja fustanet dhe të mbaja kasollen për 11 vëllezërit e motrat e mia”. tha Kuttiyamma.
Dhe kështu ajo vazhdoi jetën e saj dhe në moshën 16-vjeçare u martua me TK Konthi, i cili shiste ilaçe bimore në një dyqan të vogël dhe patën pesë fëmijë. Kaloi dekada me punë shtëpie, dhe Kuttiyama thotë se ishte e kënaqur, por gjithmonë ndjente se diçka mungonte.
Vetëm me inkurajimin që i bëri fqinja e saj, që është mësuese e shkrim-leximit, Rehana John, një vit më parë, Kuttiyamma u bind të fillonte të mësonte të lexonte. John kishte vënë re kuriozitetin e Kuttiyama-s për mësimin e nipërve të saj dhe i ofroi disa libra. Pas një inkurajimi të butë, ato filluan të takoheshin çdo mbrëmje, duke shqyrtuar së bashku librat e shkrim-leximit.
Kuttiyamma tani synon të kalojë provimin e katërt standard, të cilin nxënësit normalisht e kalojnë në moshën 9-vjeçare. Këtë herë ai përfshin punime në anglisht, mjedis dhe matematikë.
“Unë nuk mendoj se anglishtja është e huaj dhe një arrë e vështirë për t’u goditur. Do të përpiqem të arrij 100% në provimin e ekuivalencës për të gjitha punimet.” tha Kuttiyamma.
John tregoi se Kuttiyamma ende kërkon mësime çdo ditë, ndërsa refuzon të lejojë ndonjë anëtar tjetër të familjes të merrë përsipër punët e shtëpisë ose gatimin.