Lajme
Punësime familjare edhe në QKUK, manipulohet konkursi për infermierë
Demokracia
16:17 | 01 Dhjetor 2021

Share:

Konkursi për infermier/e, mami, laborant/e dhe logoped/e, po dyshohet të jetë bërë me shkelje nga ana e Komisionit Përzgjedhës. Për këtë konkurs janë bërë edhe ankesa nga ana e kandidatëve.

Blerina Imeri, e cila nuk arriti të pranohej në këtë konkurs për vetëm 0.8 pikë, ka dorëzuar ankesë pranë Komisionit për Ankesa në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, me pretendime se ishte penalizuar nga Komisioni Përzgjedhës gjatë intervistimit.

Në ankesën e saj, Imeri kishte cekur se gjatë intervistimit Komisioni Përzgjedhës i kishte thënë se ishte përgjigjur saktë në të gjitha pyetjet, megjithatë në publikimin e rezultateve ajo ka parë se ka marrë vetëm 21.8 pikë nga 30 sa ishin gjithsej.

Në total, në testim me shkrim dhe nga intervistimi, Imeri ka marrë 77.8 pikë, vetëm 08 pikë me pak se kandidatja e fundit e pranuar, e cila kishte me pak pikë në testin me shkrim, raporton Demokracia.com.

Mirëpo, ankesa e saj u refuzua nga ana e komisionit me arsyetimin se kandidatja gjatë intervistimit nuk e ka arritur numrin e duhur të poenëve dhe sipas konstatimit të tyre, nga ana e Komisionit Përzgjedhës në QKUK, nuk janë bërë shkelje.

Po ashtu, Imeri kishte dorëzuar ankesë edhe pranë Bordit Drejtues të SSHKUK-së dhe tek Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës së saj.

Ndërsa, Inspektorati Shëndetësor nuk e kishte pranuar ankesën me arsyetimin se nuk është më në kompetencat e tyre, por të Gjykatës.

Në listën kandidatëve të pranuar dhe të papranuar që ka siguruar Demokracia.com vërehen dallime në rezultatet e testit me shkrim dhe intervistimit.

Kandidatja që u pranua e fundit në këtë listë S.B (emër i njohur për redaksinë), që ka vetëm 0.8 pikë më shumë se Blerina Imeri, ka marrë shumë më pak pikë se Imeri në testin më shkrim, ndërsa në intervistim ajo kishte arritur të marr maksimumin e pikëve, 29.6 nga 30 sa ishin gjithsej.

S.B në testin më shkrim kishte marrë vetëm 49 pikë, derisa Blerina Imeri kishte marrë 56 pikë.

Demoracia.com mëson se E.Bytyqi e pranuara e parë në këtë listë është vajza e vëllait të Sherif Bytyqit, i cili është Shef i Financave në QKUK. Ajo ka marrë 70 pikë në testin me shkrim nga 70 gjithsej sa kanë qenë, ndërsa në intervistë ka marrë 28.0, pra gjithsej ka marrë 98 pikë.

Burime te Demokracia.com brenda QKUK-së thonë se testi iu është dhënë paraprakisht disa prej kandidatëve, pasi disa prej tyre kanë arritur të marrin maksimumin e pikëve, 70 nga gjithsej sa ishin në testim.

“Nuk ka mundësi që një kandidat të marrë maksimumin e pikëve në test me shkrim, pra t’i ketë të sakta të gjitha përgjigjet 100 për qind. Mandej kemi një kandidat që ka marrë 70 pikë, pra maksimumin e pikëve në testin me shkrim, ndërsa në intervistë ka marrë vetëm 11 pikë, kjo është absurde”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.

Dy anëtarët kryesorë të Komisionit Përzgjedhës në këtë konkurs, Havushe Rexhepi, U.D Drejtorësh e Shërbimeve Teknike dhe Ismet Berisha, Zyrtar i Personelit, përflitet se janë persona të afërt me Drejtorin e QKUK-së dhe të njëjtit ishin pjesë e shumicës së komisioneve brenda QKUK-së.

Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në SHSKUK për këtë çështje, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të mediumit.

Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar më 13 tetor të këtij viti kishte hapur konkurs për 51 pozita të lira pune në klinikat e QKUK-së.

Në konkurs kërkoheshin 20 infermierë me diplomë Bachellor, 15 infermierë me shkollë të mesme, 2 infermierë të Pediatrisë me shkollë të mesme. Po ashtu, ishin hapur vende të lira të punës për katër mami me shkollë të mesme, 3 laborantë mjekësor Bachellor për mikrobiologji klinike, tre laborantë Bachellor për biokimi, 2 teknikë për RTG me Bachellor dhe 2 logoped. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 16 Maj 2025