Drita ka arkëtuar pikët maksimale në takimin e fundit të xhiros së 16-të kampionale kundër Dukagjinit.
“Bardhekaltrit” triumfuan me rezultat 4-0 në stadiumin e qytetit në Gjilan ndaj klinasve, shkruan Demokracia.com.
Arbnor Muja në minutën e nëntë i dha qetësinë Dritës me golin e avantazhit, pas harkimit të mirë të Ajzerajt nga krahu.
Për Dukagjinin gjërat u përkeqësuan shumë kur Altin Merlaku u përjashtua me karton të kuq në minutën e 40-të pas ndërhyrjes në Ardian Limanin.
Pjesën e dytë e nisën më mirë futbollistët e Dritës që gjetën edhe golin e dytë pas më shumë se një ore lojë.
I disponuari për lojë, Arbnor Muja realizoi edhe golin e dytë për skuadrën e Ardian Nuhiut.
Gjashtë minuta para fundit të kohës së rregullt në skenë doli edhe mbrojtësi i krahut, Ilir Blakqori “nokautoi” Dukagjinin me golin e tretë.
Ndërkaq në minutën e fundit të kohës shtesë, Ardit Tahiri e kompletoi “pokerin”.
Me këtë fitore, Drita rikthehet në vendin e tretë me 28 pikë, dy më pak se Ballkani lider.
Ndërsa, Dukagjini vazhdon të mbetet në “zonën e kuqe”, saktësisht në vendin e parafundit me 16 pikë të tubuara. /Demokracia.com